Lleshaj e pranon: Gazin lotsjellës e morëm nga Kosova

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e pranoi nga foltorja e Kuvendit se nga Kosova është marrë një sasi me granata gazi lotsjellës, por mohoi që të jetë përdorur në protesta.
“Menaxhimi i protestës ishte sipas librit të shkollës më të mirë europiane të policisë. Nga ka ardhur gazi lakrimogjen i përdorur, mund të kërkoni informacion. Gazi është përdorur nga rezervat e Policisë së Shtetit, që ka pasur në dispozicion që prej qeverisë së mëparshme. Sigiurisht që është marrë një sasi nga Kosova, por nuk është përdorur asnjëherë dhe është kthyer në dijeninë time nga është marrë”.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka dalë me sqarim lidhur me huazimin e gazit lotsjellës Policisë së Shtetit të Shqipërisë vitin e kaluar, duke thënë se një gjë e tillë është ndërmarrë në pajtim me marrëveshjet e bashkëpunimit midis dy institucioneve policore dhe pëlqimin e dy ministrive kompetente.
Në aspektin ligjor paraprakisht janë marrë mendimet pozitive edhe nga Zyra ligjore e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RKS-se dhe e Policisë së Kosovës, përfshirë edhe pëlqimin e dhënë nga kompania prodhuese e gazit lotsjellës.
Bazuar në procedurat e parapara ligjore, marrëveshjen e bashkëpunimit të hartuar mbi bazën ligjore, pëlqimin dhe autorizimin e ministrive kompetente, pëlqimin e kompanisë dhe mendimin pozitiv të zyrave ligjore, është bërë huazimi i gazit lotsjellës.
Mbi bazën e bashkëpunimit ndërinstitucional, me shtetet fqinje në këtë rast jo vetëm me Shqipërinë, Policia e Kosovës shkëmben personel policor, patrullime dhe trajnime të përbashkëta si dhe pajisje logjistike sipas nevojës.
Policia e Kosovës inkurajon mediat dhe gazetarët që para publikimit të informacioneve t’i drejtohen policisë për sqarimin e informacioneve dhe marrjen e informatave zyrtare, në mënyrë që të ketë informim të drejtë, pasi të gjitha veprimet e ndërmarra janë realizuar sipas ligjeve në fuqi.