75 Mall Live Search
15:59 / E Premte, 25 Korrik 2025 / A. M.

“Llugë” në PDK-në e Kaçanikut, kandidatura për kryetar në diskutim sonte

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në Kaçanik pritet të mbajë një mbledhje të rëndësishme sonte në orën 20:00, ku do të diskutohet për kandidatin e saj për kryetar të komunës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Lajmin e ka bërë të ditur faqja lokale “S’je kaçanikli, nëse”, e cila raporton se PDK-ja është duke shqyrtuar mundësinë e emërimit të Sabedin Vishit si kandidat zyrtar për kryetar. Po ashtu, sipas të njëjtit burim, në garë mund të përfshihet edhe Heset Malsiu, një ish-ushtarak i njohur për angazhimin e tij në periudha të ndryshme në Kaçanik.

“PDK Kaçanik pritet të mblidhet sonte në ora 20:00 për të caktuar kandidatin për kryetar komune. Jozyrtarisht, mësohet se po shqyrtohet kandidatura e Sabedin Vishit, ndërsa në garë mund të futet edhe Heset Malsiu,” thuhet në postim.

Aktualisht, nuk ka ende një konfirmim zyrtar nga dega e PDK-së në Kaçanik, ndërkohë që zhvillimet e mbrëmjes pritet të qartësojnë pozicionimin final të partisë për kandidaturën e saj në këtë komunë.