14:19 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Lluka: Po rinegociohen kushtet e kontratës për TC ‘Kosova e Re’

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se janë duke u rinegociuar kushtet e kontratës për termocentralin “Kosova e Re”.

Këtë deklaratë ministri Lluka e dha në panelin “Unioni për Energji i Komunitetit Europian – Mënyrat për transformimin dhe integrimin e Kosovës dhe Ballkanit”.

Lluka u shpreh se procesi për ndërtimin e termocentralit të ri është stërzgjatur nga viti 2004, ndërsa tregoi se mund të përmirësohen kushtet e kontratës në favor të buxhetit publik.

“Jemi duke negociu për këtë farë pune”, tha Lluka gjatë diskutimit.

Ai shtoi se efiçienca e energjisë, furnizimi stabil dhe mbyllja e “Kosovës A” bashkë me rehabilitimin e plotë të “Kosovës B” do të kenë prioritet. Ndërsa, Irina Lazzerini, nga Energy Community Secretariat, ECS, tha se ka pak kuptim që të investohet në termocentrale sot.

“A ka kuptim të ndërtojmë diçka në vitin 2020 që do të ketë më pak se 20 vite?”, pyeti Lazzerini gjatë konferencës.

Ajo shtoi se Kosova është larg nga objektivat që ia ka vënë vetes për energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë.

Lazzerini tha se duhet të rishikohen pikat e planit të energjisë.

“Kosova duhet ta rishikojë planin e energjisë për të kontribuar në cakun e përgjithshëm”, tha zyrtarja e ECS.

Ndërkaq Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë u shpreh se ndryshimet do të jenë të ngadalshme për rajonin dhe Kosovën duke e pasur parasysh se rajoni varet 50% nga thëngjilli.

“Ndryshimet do të ndodhin në masa të ndryshme, në shpejtësi të ndryshme në këtë rajon”, tha Mantovanelli.

Sipas tij, sfidat janë shumë të mëdha në Kosovë në fushën e energjisë së ripërtëritshme.

Megjithatë, ai e vuri theksin te importi dhe eksporti i mundshëm me Shqipërinë dhe në bashkëpunimin e Kosovës me shtetet e rajonit.

“Kosova mund të fitojë nga integrimi rajonal, sidomos ai me Shqipërinë”, tha menaxheri i Bankës Botërore.