75 Mall Live Search
19:50 / E Martë, 05 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Lluka: Pronësia e Trepçës është e përcaktuar me ligj, s’pranojmë asnjë diskutim tjetër

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka deklaruar se Trepça është pasuri e Kosovës, brenda sovranitetit të shtetit.

Si e tillë, deklarata e sotme e zëdhënëse se BE-së, Maja Kocijancnic se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut, sipas Llukës është krejtësisht e papranueshme, e pamatur dhe që dëmton prespektiven e dialogut, transmeton Indeksonline.

“Trepça është pasuri natyrore e kombëtare e Republikës së Kosovës, brenda sovranitetit të shtetit tonë. Deklarata e sotme e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Kocijancic, se Trepça duhet të jetë pjesë e Dialogut, është krejtësisht e papranueshme, e pamatur dhe si e tillë dëmton edhe perspektiven e dialogut dhe objektivat e arritjes së një marrëveshje për njohje reciproke. Një temë e tillë nuk duhet të shtrohet në asnjë mënyrë në tavolinën e diskutimit, rrjedhimisht çfarëdo pretendimi për Trepçën do të jetë i dështuar dhe i papranueshëm”, ka shkruar Lluka në facebook.

Ai ka sqaruar se me ligjin për Trepçën të miratuar të shtunën në Kuvend, është e përcaktuar qartësisht pronësia e Trepçës.

Ndër të tjerash, ai ka thënë se nuk pranojnë asnjë diskutim në lidhje me Trepçën.

“Me ligjin për Trepçën të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, përveç tjerash, është e përcaktuar qartë pronësia e Trepçës. Për më tepër, javën e shkuar, Kuvendi i Kosovës miratoi me 2/3 e votave edhe Statutin e Ndërmarrjes Trepça Sh.A, i cili i hapë rrugë konsolidimit dhe investimeve drejt zhvillimit të gjigantit tonë ekonomik, Trepça. Ne nuk pranojmë asnjë diskutim në lidhje me Trepçën dhe për këtë është e rëndësishme që i gjithë spektri të jemi unik”, ka shtuar ai./Indeksonline/