18:05 / E Hënë, 04 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Lluka: Qeveria t’i shfrytëzojë shërbimet e Postës së Kosovës

Shfrytëzimi i shërbimeve të Postës nga ministritë që operojnë brenda Qeverisë së Kosovës, do t’i mundësoj Postës vetqëndrueshmëri, në mënyrë që të mos ketë më nevojë për subvencione nga Qeveria.

Shfrytëzimi i shërbimeve të Postës nga ministritë që operojnë brenda Qeverisë së Kosovës, do t’i mundësoj Postës vetqëndrueshmëri, në mënyrë që të mos ketë më nevojë për subvencione nga Qeveria. Kështu deklaroi ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdin Lluka, me rastin e vizitës në Postën e Kosovës, ku u takua edhe me menaxhmentin dhe Bordin e Drejtorëve.

Sipas tij, edhe pse Posta e Kosovës vitin e kaluar e ka mbyllur me fitim të vogël, deri para këtij viti ka pasur humbje të vazhdueshme të cilat kanë shkaktuar probleme të ndryshme dhe që kërkojnë subvencionime nga Qeveria.

Për të përmirësuar këtë, Lluka tha se janë duke shikuar format më të mira që të heqin këtë formë të subvencionimit duke përmirësuar edhe më tej performancën, përderisa shtoi se po shqyrtohen mundësitë që të gjitha dërgesat postare që bëhen brenda dhe jashtë vendit të bëhen përmes postës.

 

“Unë besoj se ka mundësi dhe potencial që nëse të gjitha Ministritë që operojnë brenda Qeverisë, nëse kanalizojnë më shumë shërbime përmes postës, unë besoj se do të ketë mundësi që posta të ketë mundësi të jetë e vet-qëndrueshme dhe të mos ketë nevojë për subvencione të mëtutjeshme”, tha ai.

Ai shtoi se Posta e Kosovës ka pasur një përmirësim të vogël të performancës krahasuar me uljen e shpenzimeve dhe rritjes së qarkullimit.

Kryeshefi Ekzekutiv Sejdi Hoxha tha se janë duke u munduar që Postën e Kosovës ta bëjnë një ndërmarrje publike të qëndrueshme financiarisht.

 

“Për dy ditë kemi arritur me i shpërnda të gjitha asistencat sociale dhe nuk kemi pasur as më të voglën ankesë nga konsumatorët. Ideja jonë është që të zgjerohemi me shërbime dhe në Postë të Kosovës t’i shpërndajmë edhe asistencat e tjera sociale. Kemi një sfidë të vogël rreth shërbimit universal postar sepse krijojmë humbje për t’i krijuar këto shërbime”, tha ai.

Hoxha shtoi se Posta e Kosovës nuk do të ndalet me aktivitete në mënyrë që qytetarët e Kosovës të kenë edhe më shumë shërbime.

Ndryshe, kjo është vizita e parë e ministrit Lluka në Postë që nga emërimi i tij në krye të MZHE-së.