75 Mall Live Search
11:08 / E Hënë, 27 Maj 2019 / indeksADMonline

Loja e ndytë e Listës Srpska, Kosova humbë mijëra euro!

471 mijë euro janë ndarë nga Qeveria e Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave veriore.

Por, pavarësisht se procesi zgjedhor i 19 majit në këto katër komuna u realizua pa ndonjë problem, Lista Serbe është duke shqyrtuar mundësinë që të tërhiqet nga detyra pasi Qeveria “Haradinaj” s’po e largon taksën.

Ata thonë se urdhri është i dhënë direkt nga Beogradi zyrtar.

Lidhur me humbjet që mund të pësojë Kosova nëse edhe një herë dështon ky proces, Indeksonline ka kontaktuar Komisionin Qendror Zgjedhor për të ditur se sa para u shpenzuan për mbarëvajtjen e këtij procesi.

Valmir Elezi, nga KQZ, ka deklaruar se për këtë proces  ishin planifikuar të ndahen 471 mijë euro (315 mijë euro për raundin e parë dhe 156 mijë për raundin e dytë), por që brenda 60 ditëve prej ditës së shpalljes së rezultateve zyrtare do të publikohet raporti i plotë për shpenzimet dhe mënyrën e shpenzimit.

“Për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në këto komuna, KQZ-ja kishte planifikuar 471 mijë euro (315 mijë euro për raundin e parë dhe 156 mijë të tjera për raundin e dytë). Kjo shumë e planifikuar ishte bërë në përputhje me detyrimet ligjore të KQZ-së, pra ishte planifikuar edhe raundi i dytë i zgjedhjeve”, tha Elezi.

Tutje i njëjti shtoi se pasi kryetarët në këto komuna janë zgjedhur në raundin e parë dhe rrjedhimisht shpenzimet janë më të ulëta.

“Këto janë vetëm planifikime, çka do të thotë se ne duhet të presim përfundimin e të gjithë procesit zgjedhor për të ditur koston e saktë të këtyre zgjedhjeve. Ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme, brenda 60 ditëve prej ditës së shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, KQZ-ja do të publikojë një raport të plotë për shpenzimet zgjedhore dhe mënyrën e shpenzimit”, tha Elezi.

Por mjetet e pashpenzuara e që ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës parashihet se do të kthehen në buxhetin e shtetit.

Ndryshe, të drejtë vote në Leposaviq patën 18 mijë e 164 votues, në Zubin Potok 8 mijë e 535 votues, në Zveçan 9 mijë e 299 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 22 mijë e 55 votues, por që rezultatet dolën të jenë në favor të kandidatëve nga radhët e Listë Serbe.

Deri tek zgjedhjet e jashtëzakonshme ne këto katër komuna erdhi pasi kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e rregullta ofruan dorëheqje, gjë që duan ta bëjnë edhe sa sapozgjedhurit./Indeksonline/