Lojtari i Moldavisë – pozitiv me koronavirusin, ky është vendimi i UEFA-së

Moldavia dhe Kosova luajtën baras 1-1 në ndeshjen e xhiros së parë të Ligës së Kombeve.
Ndeshja u zhvillua në Parma të Italisë, derisa golashënuesi moldav, Nicolaescu doli pozitiv me koronavirusin pas sfidës, shkruan Indeksonline.
Për UEFA-në kjo është një gjë normale, lojtari është karantinuar në Itali derisa pjesa tjetër e skuadrës ka udhëtuar drejt Sllovenisë.
Në një përgjigje që ia ka kthyer gazetarit Arlind Sadiku, UEFA-ja ka sqaruar situatën ku shihet se nuk do të ketë sanksione ndaj Moldavisë.
“Të dyja ekipet kombëtare u testuan përpara ndeshjes Moldavia-Kosova në përputhje me Protokollin e kthimit në lojë të UEFA-së dhe të gjithë lojtarët që hynë në stadium dhe morën pjesë në ndeshje patën rezultat negativë me Covidin-19, siç kërkohet nga protokolli. Në kuadër të përgatitjes për ndeshjen e saj të radhës kundër Sllovenisë, të dielën, ekipi i Moldavisë iu nënshtrua testit para nisjes. Pas këtij testi para nisjes për ndeshjen e dytë, një person i delegacionit të ekipit moldav pati rezultat pozitiv të testit të Covidit-19. Personi u vendos në izolim me vendim të autoritetit përkatës italian dhe pjesa tjetër e ekipit mori miratimin për udhëtimin për në Slloveni“, thuhet në përgjigjen e UEFA-së. /IndeksOnline/