Lojtari më varrë në shpinë, Besa e Pejës thotë se u torturuan në Ferizaj
Besa e Pejës ka reaguar pas lojës së djeshme në Ferizaj ndaj Dinamos.
Sipas skuadrës pejane, humbja 3-2 u përcoll me ndërhyrje të rënda në fushë të cilat sipas tyre nuk janë sanksionuar nga gjyqtarët.

“Klubi ynë nuk është i njohur për reagime të tilla publike dhe gjithmonë ka zgjedhur të flasë në fushë, me lojë dhe rezultate. Megjithatë, ajo që ndodhi dje në Ferizaj na detyron të reagojmë, sepse tejkalon çdo kufi të pranueshëm për një garë sportive të drejtë dhe të ndershme.
Deri në momentin kur filluam të avanconim në rezultat, në fushë nuk kishte asnjë dallim që do të justifikonte pozitën e kundërshtarit si lider i tabelës. Ekipi ynë ishte i organizuar, konkurrues dhe i barabartë në çdo aspekt të lojës. Por, pas këtij momenti, loja mori një rrjedhë që nuk ka lidhje me futbollin që ne përfaqësojmë.
U lejuan ndërhyrje të rënda ndaj lojtarëve tanë pa top, pati presion të vazhdueshëm ndaj gjyqtarit nga banka kundërshtare, ndërsa vendimet në fushë filluan të ndikohen në mënyrë të dukshme. Si pasojë e këtyre situatave, u detyruam të bëjmë zëvendësime për shkak të lëndimeve, të cilat në asnjë rast nuk u sanksionuan siç e kërkojnë rregullat e lojës.
Ne e kemi nisur këtë sezon me një qëllim të qartë, të luajmë futboll të pastër, me dinjitet dhe respekt për lojën. Ecuria jonë në sezonin pranveror është dëshmi e këtij angazhimi dhe e punës së bërë nga ekipi. Por, për të vazhduar në këtë rrugë, kërkojmë vetëm atë që është themelore në çdo garë sportive: drejtësi, barazi dhe kushte të njëjta për të gjithë.
Ky reagim nuk ka për qëllim të justifikojë asnjë rezultat, por të mbrojë parimet mbi të cilat ndërtohet sporti dhe mundi i çdo lojtari në fushë. Besojmë që institucionet përkatëse do ta trajtojnë këtë situatë me seriozitetin e duhur.
Ne ndjejmë obligim ndaj secilit tifoz, sponsor dhe anëtar të klubit që t’ju informojmë se dje në Ferizaj, loja e bukur e futbollit kaloi në plan të dytë, ndërsa lojtarët tanë u detyruan para së gjithash të ruanin shëndetin e tyre.
Ne do të vazhdojmë të fokusohemi në fushë, aty ku gjithmonë kemi dashur të flasim, me punë, përkushtim dhe krenari për fanellën që përfaqësojmë.
Shtojcë:
Këtij reagimi do t’i bashkëngjiten edhe videoincizimet, në momentin që klubi ynë i posedon ato. Më pas, të gjitha këto materiale do të deponohen në organet kompetente për trajtim të mëtejmë”, thuhet në reagim./Indeksonline

