75 Mall Live Search
20:53 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / Burim

Londra thërret ambasadorin e Izraelit për planin mbi Bregun Perëndimor

Ministria britanike e Jashtme ka thirrur ambasadorin izraelit në Mbretërinë e Bashkuar pasi Izraeli miratoi të mërkurën projektin për një vendbanim në Bregun Perëndimor që do të ndante territorin në dy pjesë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ministria e Jashtme e Britanisë.

“Sot ambasadorja e Izraelit në Mbretërinë e Bashkuar u thirr nga Ministria e Jashtme, e Commonwealth-it dhe e Zhvillimit. E nderuara Tzipi Hotovely u thirr si përgjigje ndaj vendimit të Komitetit të Lartë të Planifikimit izraelit për miratimin e planeve për ndërtimin e vendbanimeve në zonën E1, në lindje të Jerusalemit”, njoftoi Ministria e Jashtme.

Izraeli ka miratuar projektin e kontestuar të vendbanimit E1, që parashikon ndërtimin e 3 401 njësive banimi midis Jeruzalemit dhe Ma’ale Adumim në Bregun Perëndimor.

Vendimi pritet të ketë pasoja të mëdha, duke ndarë praktikisht territorin palestinez në dy pjesë dhe duke vënë në rrezik mundësinë e krijimit të një shteti Palestinez në të ardhmen.