75 Mall Live Search
16:42 / E Martë, 06 Janar 2026 / L A

Lookmani “sqarohet” për përplasjen me Osimhenin në fushë gjatë fitores së Nigerisë

Ademola Lookman i siguroi tifozët se Victor Osimhen është “vëllai” i tij dhe se “është thjesht futboll”, pasi të dytë u përfshinë në një debat të ashpër në fushë gjatë ndeshjes së raundit të 1/8-ve të AFCON-it mes Nigerisë dhe Mozambikut, të martën në mbrëmje.

Lookman i Atalantës ka pasur një paraqitje të shkëlqyer në Kupën e Afrikës, duke shënuar tri gola dhe duke dhënë pesë asistime në tri ndeshje, për ta ndihmuar Nigerinë të kualifikohet në çerekfinale.

Ai shënoi golin hapës të ndeshjes dhe dhuroi tri asistime të tjera në fitoren bindëse 4-0 ndaj Mozambikut në raundin e 1/8-ve, të hënën mbrëma.

Megjithatë, ndeshja nuk kaloi pa polemika, pasi Lookman dhe ish-ylli i Napolit, Osimhen, u panë duke u grindur ashpër në fushë pak pas orës së lojës.

Osimhen u dëgjua duke bërtitur me nervozizëm “është lojë ekipore”, ndërsa i bënte me shenjë Lookmanit në zonën e penalltisë, pak para se të ekzekutohej një goditje nga këndi.

Kjo ndodhi pavarësisht faktit se lojtari i Atalantës i kishte dhënë tashmë dy asistime Osimhenit deri në atë moment të ndeshjes.

Kapiteni i “Super Eagles”, Wilfried Ndidi, i qetësoi gjërat në një intervistë pas ndeshjes, duke insistuar se incidenti ishte pasojë e “mentalitetit konkurrues” dhe se skuadra thjesht “kërkonte më shumë gola” në atë moment.

Edhe Lookman foli për incidentin pas përfundimit të ndeshjes, duke u thënë gazetarëve se “nuk ka asnjë problem. Është thjesht futboll, gjithmonë është futboll”.

Dhe kur u pyet nëse kishte një mesazh për t’ia dërguar Osimhenit, ai u përgjigj shkurt: “Është vëllai im”.