13:32 / E Martë, 26 Maj 2020

Lorik Cana dëshiron që fëmija i tretë të jetë patjetër djalë

Lorik Cana e quajti prindërimin “punën më të vështirë në jetë”.

Në një lidhje me “Ftesë në pesë”, ish-kapiteni i Kombëtares së Futbollit u shpreh se dëshiron që fëmija i tretë të jetë djalë.

Ndër të tjera, Cana tha se nëse bashkëshortja, Monica, i siguron që do të jetë djalë, është gati për fëmijën e tretë. “Por e kemi të vështirë të jemi të sigurt,” tha ai duke qeshur. Arsyeja pas kësaj lidhet me raportin e ngushtë që ka me të bijën, Enkeleidën.

“Duke parë kujdesin ndaj vajzës, gjithë këtë dashuri që mund të shndërrohet në një lloj posesiviteti dhe xhelozie, një [vajzë] është e mjaftueshme.”

Enkeleida erdhi në jetë në janar të këtij viti. Loriku e prezantoi të bijën në Instagram në fund të janarit, dy javë pas lindjes. Emri i vajzës u vendos nga çifti shumë më përpara se të merrnin vesh lajmin e shtatzënisë.

Në fillim të tetorit të 2018-s, Loriku u shpreh në “Wake Up” në Top Channel se ai dhe Monica dëshirojnë që Boiken të ketë një motër. Në fakt, bashkëshortja e ka emrin gati. “Do që ta quajë Enkeleida,” tha ai.

Boiken, emri i djalit të tyre, ka prejardhje ilire. Enkeleida po ashtu. Monica është italiane dhe mesa duket, për të është me rëndësi që fëmijët e tyre të ruajnë një pjesë të prejardhjes përmes emrave ilirë.

Loriku dhe Monica, më parë modele, u martuan në qershor të 2014-s në Prishtinë. Pas një viti martesë, në jetë erdhi Boiken.