75 Mall Live Search
09:02 / E Mërkurë, 11 Qershor 2025 / H F

Los Angeles nën “shtetrrethim” mes protestave kundër dëbimit të emigrantëve

Kryetarja e Bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, ka shpallur shtetrrethim në disa zona të qendrës së qytetit si përgjigje ndaj plaçkitjeve dhe dhunës që shpërthyen gjatë protestave kundër bastisjeve të fundit të imigracionit.

Përmes një postimi në platformën X, Bass deklaroi se kushdo që shkel shtetrrethimin do të arrestohet nga forcat speciale të sigurisë. “Unë shpalla një shtetrrethim duke filluar nga sonte në orën 20:00 për qendrën e Los Angelosit, për të ndaluar aktorët e këqij që po përfitojnë nga përshkallëzimi kaotik i Presidentit. Nëse nuk jetoni ose punoni në qendër të Los Angelosit, shmangni zonën. Zbatimi i ligjit do të arrestojë individët që shkelin shtetrrethimin dhe ju do të ndiqeni penalisht”, shkroi ajo.

Sipas raportimeve, gjatë natës janë bërë dhjetëra arrestime për shkelje të orës policore, ndërsa forcat e rendit kanë qenë në gatishmëri të lartë. Deri më tani, nuk është vërejtur prani e trupave të Marinës Amerikane apo Gardës Kombëtare në rrugë.

Ora policore është në fuqi nga ora 20:00 deri në 06:00, dhe përjashton vetëm banorët, gazetarët dhe shërbimet emergjente.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, më 10 qershor paraqiti një mocion urgjent në gjykatën federale për të ndaluar pjesëmarrjen e Gardës Kombëtare dhe Marinsave në bastisjet e imigracionit. Një gjyqtar ka caktuar një seancë dëgjimore për ditën e nesërme.

Ndërkohë, komandanti i Korpusit të Marinës, gjenerali Eric Smith, dëshmoi në Senat se batalioni i dërguar në Los Angeles është tashmë i trajnuar për kontrollin e turmës, por theksoi se nuk ka marrë urdhër për të ndërhyrë dhe nuk ka autoritet për të kryer arrestime – detyra e tyre është të mbrojnë pronën dhe agjentët federalë.

Karen Bass dhe guvernatori Newsom, të dy demokratë, insistojnë se mënyra e vetme për të rikthyer qetësinë është ndalimi i bastisjeve ndaj emigrantëve të paligjshëm dhe tërheqja e forcave federale nga qyteti. Megjithatë, republikanët kundërshtojnë me forcë këtë qasje.

“Ju nuk keni të drejtë të anashkaloni ligjet federale të imigracionit”, deklaroi guvernatori republikan i Floridas, Ron DeSantis. Ai shtoi se “problemi në Kaliforni është se ata kanë qenë një shtet strehë për shumë vjet”.

Ish-zyrtari i administratës Trump, Tom Homan, paralajmëroi se bastisjet do të vazhdojnë. Ndërkohë, sipas kreut të Pentagonit, Pete Hegseth, Garda Kombëtare dhe marinsat do të qëndrojnë në qytet për të paktën 60 ditë, me një kosto prej 134 milionë dollarësh.

Kryetari republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, sulmoi ashpër guvernatorin Newsom, duke thënë se ai “duhet të lyhet me katran dhe të mbulohet me pupla” për bashkëpunimin e tij me protestuesit. Newsom u kundërpërgjigj: “Ata anashkalojnë arrestimet dhe kalojnë direkt te format e ndëshkimit të shekullit të 18-të.”

Një nga arkitektët e politikës aktuale të bastisjeve është Stephen Miller, këshilltari i imigracionit gjatë administratës Trump. Në fund të majit, ai argumentoi se arrestimet e gangsterëve dhe kriminelëve nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur objektivat e deportimeve, të cilat mbeten më të ulëta se në kohën e Bidenit. Miller propozoi bastisje para supermarketeve si Home Depot dhe 7-Eleven, ku mblidhen punëtorë ditorë.

Një tjetër figurë kyç është prokurori federal i Distriktit Qendror të Kalifornisë, Bilal Essayli, familja e të cilit ka shpëtuar nga lufta civile në Liban.

Pavarësisht kritikave, ish-presidenti Trump qëndron i vendosur. “Nuk do të lejoj që Shtetet e Bashkuara të shkatërrohen nga emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët e Botës së Tretë”, deklaroi ai nga baza ushtarake Fort Bragg, duke pretenduar se protestat po financohen nga “dikush”.

“Ne do ta çlirojmë Los Angeles dhe do ta bëjmë atë përsëri të pastër dhe të sigurt”, shtoi ai, duke i quajtur protestuesit “kafshë”. Trump kritikoi gjithashtu faktin që protestuesit “valëvitin flamurë të vendeve të tjera, por jo atë amerikan” dhe akuzoi se “e djegin flamurët”.

Të hënën në mbrëmje, më 9 qershor, mbi 100 persona u arrestuan dhe tre oficerë policie u plagosën nga sulmet me gurë. Me dërgimin e 4 mijë trupave të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsave në qytet, Los Angeles pritet të mbetet i militarizuar për dy muajt e ardhshëm.

Ndërkohë, administrata e Trump synon të dërgojë deri në 9 mijë emigrantë në bazën ushtarake të Guantanamos, për të liruar hapësirë në qendrat e paraburgimit në SHBA. Sipas “Washington Post”-it, mes personave që mund të dërgohen në Kubë janë edhe qindra shtetas nga vende evropiane si Italia, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Irlanda, Belgjika, Holanda, Lituania, Polonia, Turqia dhe Ukraina.