75 Mall Live Search
08:19 / E Shtunë, 28 Shkurt 2026 / F.R

Lot, këngë e triumf: Si u mbyll spektakli i madh i BBVK4

Finalja e madhe e Big Brother VIP Kosova shndërroi Klan Arenën në një spektakël emocionesh, muzike dhe surprizash, duke mbyllur me sukses edicionin e katërt të këtij formati shumë të ndjekur.

Ish-banorët e këtij sezoni u rikthyen në studio për të përjetuar nga afër natën vendimtare.

Atmosfera u ndez që në fillim me performancat muzikore.

Benita solli energji në skenë me interpretimin e këngës “Buggati”, duke rrëmbyer vëmendjen me paraqitjen e saj në të kuqe.

Më pas, skena u “elektrizua” edhe nga Fjolla Morina, ndërsa këngëtari i mirënjohur nga Shkodra, Bujar Qamili, i dhuroi publikut momente të veçanta me këngën “Nuse n’Shkodër”.

Finalistët u përballën me rrugëtimin e tyre brenda shtëpisë përmes klipeve përmbledhëse dhe surprizave nga më të dashurit.

Klodi u emocionua nga ardhja e familjarëve nga Italia, Ludo u surprizua në një takim të veçantë me bashkëshorten dhe tri vajzat e tij, ndërsa Elijona shpërtheu në lot kur takoi vëllain e vogël pas 102 ditësh izolim.

Për të, një tjetër moment i paharrueshëm ishte performanca e Labinot Tahiri me këngën “Zemra e re”, të cilën ajo e kishte kënduar shpesh gjatë qëndrimit në shtëpi.

Edhe Hygerta pati një takim emocional me nënën e saj, e cila i tha se e kishte bërë krenare me lojën dhe qëndrimin e saj.

Por, ajo ishte finalistja e parë që u eliminua, duke u renditur e pesta në këtë finale.

Renditja përfundimtare e edicionit të katërt ishte:

Vendi i pestë: Hygerta

Vendi i katërt: Klodi

Vendi i tretë: Ludo

Vendi i dytë: Elijona

Ndërsa fituesi i madh i këtij sezoni u shpall Londrimi, i cili kishte deklaruar me bindje pak orë më parë: “Unë do ta fitoj”.