75 Mall Live Search
07:02 / E Mërkurë, 03 Janar 2018 / indeksADMonline

Lu ‘mban’ premtimin/ Kapen dy ‘peshqit’ e parë. Ja kush janë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, tha vitin e shkuar se menjëherë sapo të hyjë viti i ri, pra 2018-ta, shqiptarët do të shohin me sytë e tyre se si do të kapen një nga një të ashtuquajturit ‘peshqit e mëdhenj’.

E kur të gjithë ne shqiptarët ishim sy e veshë para tv-së, mediave online, policia nisi aksionin për kapjen e kriminelëve të rrezikshëm.

Por në fund, ashtu siç jemi mësuar gjatë këtyre viteve të fundit, ata që bien në rrjetë janë shqiptarët e zakonshëm, ata që janë pa punë, pa mundësi ekonomike, ata që nuk kanë para të paguajmë dritat dhe ujin, pra në pranga ranë 2 persona të cilët patën guximin dhe dolën të protestojnë për të kërkuar të drejtat e tyre në 18 dhjetor të vitit të shkuar.

Sot në pikën kufitare Morinë ra në rrjetën e policisë superkriminelja e rrezikshme 50-vjeçarja Fiqirije Nezaj që sipas policisë ishte person i shpallur në kërkim.

Ajo akuzohet për kundërshtim të forcave policisë gjatë protestës së 18 dhjetorit përpara parlamentit kur brenda tij po zgjidhej kryeprokurorja e përkohshme.

Ndërkohë vetëm para 2 ditësh ra në grepin e policisë një kriminel shumë i rrezikshëm ish-shefi i FNSH, Osman Levanaku, në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës, pasi rezultonte person në kërkim, edhe ai për shkak të protestës.

Ai po udhëtonte drejt Strugës me familjen e tij, ku kishte prenotuar për të festuar natën e ndërrimit të viteve. Ka reaguar menjëherë me një deklaratë për shtyp zyra e shtypit e Ambasadës Amerikane në Tiranë, duke përshëndetur aksionin shumë të rëndësishëm të policisë. Vetë ambasadori Lu gjatë operacionit të policisë ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin e Parlamentit zoti Ruci duke i dhënë të gjithë përkrahjen e pakursyer në luftën kundër korrupsionit.

Temat: