11:33 / E Shtunë, 27 Maj 2023 / Gj. Sh

Luajti për Interin dhe Manchester Cityn, Balotelli tregon kë e mbështet në finalen e Champions League

Mario Balotelli vijon karrierën e tij me Sionin në Zvicër, por italiani ka një të kaluar të pasur duke qenë se ka bërë pjesë në klube elitare.

32-vjecari ka qenë pjesë e Manchester Cityt, por edhe Interit, dy skuadrat që këtë sezon janë në finalen e Champions League dhe do ta diskutojnë trofeun në Stamboll më datë 10 qershor.

Së fundmi, në një intervistë për “Gazetta Dello Sport” sulmuesi ka zbuluar edhe skuadrën të cilën mbështet duke u shprehur se se dëshiron të fitojnë të dyja ekipet edhe pse është e pamundur.

“Kam marrë shumë ftesa për finalen e Stambollit, por jam i pavendosur. Mendoj se do të marr një vend në mesin e stadiumit, por të mos qenë në asnjë krah. Zemra ime është e ndarë në gjysmë, nuk dua të them më shumë. Do të më pëlqente të fitonin të dyja skuadrat edhe pse është e pamundur. Interi është në formë dhe ka lojtarë shumë të mirë që mund të bëjnë diferencën. Duke nisur nga miku im Dzeko te Lukaku dhe Lautaro”, tha Balotelli.

Ndër të tjera, italiani u ndal edhe te sulmuesi i preferuar duke theksuar se aktualisht më i miri është Erling Haaland, por shtoi se Victor Osimhen i kujton veten në periudhën e artë.

“Sulmuesi më i fortë aktualisht është Haaland, këtë të paktën thonë numrat. Por, pas Haaland për mua Osimhen është shumë special. Di të bëjë gjithçka në fushë, pak a shumë si unë në periudhën e artë”, u shpreh Balotelli.