75 Mall Live Search
11:10 / E Hënë, 07 Mars 2022 / MSH

Lufta e Ukrainës, katastrofike për ushqimin global

Shefi i një prej kompanive më të mëdha të plehrave në botë, Yara International, ka thënë se lufta në Ukrainë do të sjellë një tronditje në furnizimin global dhe koston e ushqimit.

Svein Tore Holsether, tha se çmimet e plehrave, të cilat tashmë ishin të larta për shkak të rritjes së çmimeve të gazit, mund të vazhdojnë të rriten akoma më shumë.

Yara, e cila operon në më shumë se 60 shtete të botës, blen sasi të konsiderueshme të lëndëve të para thelbësore nga Rusia.

“Ne ishim tashmë në një situatë të vështirë para luftës”, tha Holsether për BBC. 

“Tani është një ndërprerje shtesë në zinxhirët e furnizimit dhe ne po i afrohemi pjesës më të rëndësishme të këtij sezoni për hemisferën veriore, ku shumë plehra duhet të qarkullojnë dhe kjo ka shumë të ngjarë të ndikohet”, shtoi ai.

Rusia prodhon sasi të mëdha të lëndëve ushqyese, si potasi dhe fosfati, përbërës kryesorë në plehra, të cilët u mundësojnë bimëve dhe kulturave të rriten.

“Për mua, nuk është se po kalojmë në një krizë globale ushqimore, është se sa e madhe do të jetë kriza”, shtoi Holsether.