Lufta me Covid19/A është e vërtetë që vitamina D parandalon këtë virus?

Nuk ka prova të mjaftueshme që suplementet e vitaminës D i mbrojnë njerëzit ndaj Covidit-19, thotë një panel ekspertësh, që theksoi se duheshin më shumë kërkime. Megjithatë, të gjithë njerëzit këshillohen të marrin një suplement ditor këtë dimër për të mbajtur kockat dhe muskujt të shëndetshëm. Ndërsa më të rrezikuarve në Mbretërinë e Bashkuar po u ofrohen suplemente shtesë.
Zyrtarët shëndetësorë kryen një rishikim të shpejtë të provave mbi lidhjet midis vitaminës D dhe Covidin-19, pasi një numër i vogël studimesh sugjeronin se mund të luante një rol në përgjigjen imune të trupit ndaj viruseve në frymëmarrje. Sidoqoftë, ata zbuluan se kishte “prova të pamjaftueshme” për ta rekomanduar atë për parandalimin ose trajtimin e sëmundjes. Ekspertët shëndetësorë, të cilët studiuan provat thanë se duheshin më shumë prova të kontrolluara cilësore, para se të arrinin në ndonjë përfundim.
Prof Adrian Martineau, profesor klinik i infeksionit të frymëmarrjes dhe imunitetit në universitetin “Queen Mary” të Londrës, tha se kishte një shans që vitamina mund të zvogëlojë rrezikun dhe/ose ashpërsinë e Covidit-19, dhe provat klinike, aktualisht në progres, do të të hedhin dritë mbi këtë pyetje.
Marrja e vitaminës D është veçanërisht e rëndësishme këtë dimër për shkak të kohës që njerëzit kanë kaluar në shtëpi, duke u izoluar dhe mbrojtur nga koronavirusi. Kjo do të thotë se ata mund të mos kenë marrë mjaftueshëm vitaminë D nga rrezet e diellit, që janë një burim kryesor.
Vitamina D, gjithashtu mund të merret nga ushqime të caktuara, të tilla si vaji i peshkut, drithërat dhe suplementet.
Dr. Alison Tedstone, nutricioniste e Shëndetit Publik në Angli, tha: “Ne këshillojmë që të gjithë, veçanërisht të moshuarit, ata që nuk dalin jashtë dhe ata me lëkurë të errët, të marrin një shtesë të vitaminës D që përmban 10 mikrogramë (400IU) çdo ditë.”
Këtë vit, këshillat janë më të rëndësishme se kurrë, mbi të gjitha për njerëzit që kalojnë më shumë kohë brenda./BBC