13:39 / E Shtunë, 19 Mars 2022 / B O

Lufta në Ukrainë, përgjysmohet rritja ekonomike e Gjermanisë

Prodhimi i Brendshëm Bruto në ekonominë më të madhe të Evropës pritet të rritet me 2,1% gjatë vitit, në vend të 4% të parashikuar më parë, pasi ndikimi i luftës ruse në Ukrainë ndihet në mbarë botën.

”Lufta në Evropë po i jep një goditje të rëndë rimëkëmbjes së Gjermanisë nga pandemia Covid-19”, tha IfW, duke vënë në dukje se një rikthim në nivelet e para krizës nuk pritej deri në gjysmën e dytë të vitit, transmeton Dpa, përcjell albinfo.ch.

Ai pretendon se kapacitetet prodhuese nuk do të shfrytëzohen plotësisht deri në fund të vitit, që do të thotë se prodhimi ekonomik për momentin nuk do të arrijë potencialin e plotë.

”Megjithatë, një pjesë e prodhimit të humbur do të rikuperohet në vitin 2023”, sipas parashikimeve të institutit.

Si rezultat, një rritje pak më e fortë prej 3,5% tani parashikohet për vitin e ardhshëm – në vend të një parashikimi të mëparshëm prej 3,3%.

Sipas raportit, trazirat ekonomike të shkaktuara nga konflikti në Ukrainë ka të ngjarë t’i kushtojnë Gjermanisë rreth 90 miliardë euro (99,4 miliardë dollarë) të prodhimit ekonomik këtë vit dhe vitin e ardhshëm.