Lufta në Ukrainë, Zelensky: Ky është gjenocid

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka përshkruar pushtimin rus të vendit të tij si “torturë të të gjithë kombit”.
Duke folur për CBS News përmes një përkthyesi të dielën, Zelensky tha se populli i Ukrainës nuk dëshiron të nënshtrohet nga Rusia dhe si rezultat po shkatërrohet dhe shfaroset.
I pyetur drejtpërdrejt nëse veprimet e Rusisë përbëjnë gjenocid, ai tha: “Në të vërtetë, ky është gjenocid. Eliminimi i të gjithë kombit dhe popullit. Ne jemi qytetarët e Ukrainës. Ne kemi më shumë se 100 kombësi.”
“Kjo ka të bëjë me shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha këtyre kombësive” shtoi ai.
Në një video-fjalim të mëvonshëm, drejtuar kombit të dielën mbrëma, Zelensky tha se “e keqja e përqendruar ka ardhur në tokën tonë”, duke shtuar se çdo krim i pushtuesve në territorin e Ukrainës do të hetohej.
“Të gjithë fajtorët për krime të tilla do të futen në një Libër të veçantë të Ekzekutuesve, do të gjenden dhe do të ndëshkohen”, tha ai.