08:41 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

“Lufta politike” për kryeinspektorin

Mbi 10 kandidatë sa kanë konkurruar për kryeinspektor të tregut në MTI po e presin qe dy muaj një vendim final nga institucionet për konkursin e shpallur nga Ministria e Administratës Publike (MAP). Komisioni për Ankesa në MAP gjeti se shpallja e konkursit nuk kishte mbështetje ligjore, ndërsa rasti tani ka përfunduar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

Më 14 nëntor të vitit të kaluar Ministria e Administratës Publike (MAP) ia shpalli konkursin kryeinspektorit aktual të tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Lulzim Sylës.

Por kur kanë kaluar afër tre muaj, konkursi është bllokuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ((KPMSHCK). Dyshohet se me shpalljen e këtij konkursi MAP-i bëri shkelje të legjislacionit në fuqi.

Gazeta “Zëri” mëson se pas ndërrimit të pushtetit, vitin e kaluar, kanë filluar apetitet e partive nga koalicioni qeverisës për ta rrëzuar kryeinspektorin aktual.

Ky vendim erdhi pas një ankese të Sylës të ushtruar në MAP kundër konkursit të shpallur.

“Anulohet konkursi i shpallur më datën 14.11.2017, nga Ministria e Administratës Publike për pozitën ‘Kryeinspektor i Inspektoratit të Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë’”, thuhet në vendimin e datës 24 nëntor të 2017-s të Komisionit për Ankesa për pozita të larta drejtuese”.