75 Mall Live Search
23:00 / E Hënë, 28 Korrik 2025 / Gj. Sh

Lufta Rusi-Ukrainë/ Trump kërkon marrëveshje brenda 12 ditësh, reagon Zelensky: Një hap drejt paqes

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përshëndetur qëndrimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, pasi ky i fundit deklaroi se do të shkurtojë ndjeshëm afatin që i kishte dhënë Rusisë për të rënë dakord për një marrëveshje paqeje.

Qëndrim i qartë dhe vendosmëri e shprehur nga POTUS (referuar presidentit të SHBA), pikërisht në kohën e duhur, kur shumë gjëra mund të ndryshojnë përmes forcës për paqe të vërtetë,” shkroi Zelensky në një postim në rrjetin X. “Falënderoj Presidentin Trump për përqendrimin e tij në shpëtimin e jetëve dhe ndalimin e kësaj lufte të tmerrshme”, theksoi ai.

Trump njoftoi sot se do të shkurtojë nga 50 në vetëm 10 deri në 12 ditë afatin për Presidentin rus Vladimir Putin për të arritur një marrëveshje paqeje me Kievin.

Shefi i stafit të Zelensky-t, Andriy Yermak, tha se Trump po “jepte një mesazh të qartë për paqe përmes forcës” dhe e cilësoi qëndrimin e tij si të vendosur dhe të nevojshëm në këtë fazë të luftës.

Zelensky shtoi se Ukraina do të punojë ngushtë me SHBA-në për të garantuar një të ardhme më të sigurt, më të fortë dhe më të begatë për të dy vendet.