Lugina e Preshevës zgjedh Ragmi Mustafën në krye të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi
Lugina e Preshevës ka zgjedhur për kryetar të Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Ragmi Mustafën.
Mustafa ka mposhtur të gjithë kandidatët tjerë shqiptarë duke mbledhur 4 mijë e 719 vota në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Pas tij është kandidati i Alternativës për Ndryshim, Arbër Pajazitim me 3 mijë e 741 vota, ndërsa Sali Salihu i Partisë Demokratike ka marrë 2 mijë e 323 vota.
Rreth 36 mijë votues shqiptarë, në 55 vendvotime të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, patën rastin të votojnë kandidatët e tyre për Asamblenë e Këshillit Nacional Shqiptar.
Pesë parti politike dhe një grupim qytetar, garuan në këto zgjedhje për pesëmbëdhjetë ulëset e këtij Kuvendi, i cili sipas ligjit për pakicat kombëtare të Serbisë, ka kompetenca në arsim, kulturë, informim, përdorim të gjuhës e shkrimit dhe simbolet kombëtare.