Luleshtrydhet e importuara nga Greqia me prani pesticidi të rrezikshëm

Me shpejtësi rrufe në media qarkulloi lajmi se mandarinat shqiptare u bllokuan në disa vende të BE-së, sepse përmbanin nivele të larta pesticidesh, por e kundërta ndodh kur vendet e BE-së fusin në tregun shqiptar fruta dhe perime me pesticide të rrezikshme.
Te luleshtrydhet e importuara nga Greqia është konstatuar prania e mbetjes së pesticidit Hexythiazox, i cili konsiderohet me risk për shëndetin e njeriut.
Kontrollet e AKU-t në terren, pas analizave të kryera në ISUV, kanë faktuar se luleshtrydhet e importuara nga shteti grek kanë prani të pesticidit, që përbën risk për shëndetin e konsumatorëve.
Situata bëhet më alarmante edhe për vetë faktin që luleshtrydhet preferohen shumë nga fëmijët.
Në një kërkesë për informacion drejtuar AKU-t na bëhet me dije se subjekti importues është “Geri shpk” me aktivitet “Magazinë fruta-perime”.
Sipas AKU-t, subjekti e ka importuar produktin në përputhje me legjislacionin në fuqi. Pra, teorikisht në bazë të çertifikatave shoqëruese, luleshtrydhja e importuar nga Greqia ishte konform rregullave dhe për konsum, por praktikisht nga analizat e ISUV rezultoi se ky produkt duhet të hiqej menjëherë nga tregu, sepse paraqiste rrezik.
Megjithatë inspektorët e AKU-së nuk arritën të minimizonin rrezikun duke bllokuar luleshtrydhen, pasi e gjithë sasia e importuar rezultoi e shitur.
Në bazë të procedurave standarde kur një produkt dërgohet për t’u analizuar duhet të qëndrojë i bllokuar deri në daljen e rezultatit të analizave.
Në rastin konkret asnjë kilogram luleshtrydhe nuk rezultoi e bllokuar.
Efikasiteti i AKU-së duhet të qëndrojë në evidentimin e rasteve problematike dhe bllokimin e produkteve që paraqesin risk, pa u konsumuar nga qytetarët.