Lumezi mohon të ketë ndikim politik në sistemin prokurorial
Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka mohuar të kenë ndikime nga jashtë dhe ka thënë se akuzat në drejtim të tyre gjatë vitit të kaluar u bënë me qëllim të dobësimit të sistemit prokurorial të Kosovës.
Këto deklarata Lumezi i bëri gjatë hapjes së Konferencës vjetore të prokurorëve, teksa tha se sistemi prokurorial në Kosovë ka shënuar progres.
Lumezi tha se gjatë vitit 2018, Prokuroria e shtetit ka shënjestëruar 48 raste të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, teksa mohoi të kenë ndikime nga jashtë. Gjatë vitit 2018, ish-prokurori Elez Blakaj akuzoi kryeprokurorin Lumezi për ndërhyrje në punën e tij. Lumezi tha se një pjesë e kritikave që u bënë ndaj tyre kishin për qëllim dobësimin e sistemit prokurorial.
Sa i përket luftës kundër korrupsionit, Lumezi tha se gjatë vitit 2018 kanë ngritur 588 akuza për korrupsion dhe krime ekonomike. Ndërsa lidhur me luftën kundër terrorizmit, Lumezi tha se si bashkëpunim i institucioneve të sigurisë, gjatë vitit të kaluar asnjë shtetas i Kosovës nuk i është bashkangjitur vatrave të luftës jashtë vendit.
Po ashtu, Lumezi tregoi se gjatë vitit të kaluar, kanë sekuestruar pasuri të paligjshme në vlerë prej 27 milionë eurosh.
Ndërkaq, kryesuesi i ri i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, pati bëri disa zotime për vitin 2019, ku ndër të tjerash premtoi se KPK do të ofrojë më shumë siguri për prokurorët e Kosovës, por edhe do të monitorojë punën e tyre. Teksa parafolësit folën për rezultate, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci përmendi disa sfida të sistemit prokurorial në Kosovë. Ai tha se kjo konferencë duhet të shërbejë si reflektim për zotime të përbashkëta për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Peci tha se populli e ka humbur besimin te drejtësia, e sipas tij është koha e fundit për ta rikthyer besimin e popullit, duke u treguar të paanshëm. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga zyra e BE-së dhe zyra ligjore e OSCE-së në Kosovë.
Zëvendësshefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri bëri thirrje që të zbatohen ligjet në Kosovë, duke potencuar rëndësinë që kanë ato në procesin e liberalizimit të vizave. Kurse shefi i zyrës ligjore të OSCE-së, Benjamin Reed, tha se OSCE ka punuar ngushtë me prokuroritë në Kosovë, ndër të tjerësh për të trajnuar prokurorët në luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit. Sipas agjendës ishin paraparë të marrin pjesë edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, por ata nuk ishin të pranishëm. Konferenca është mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë.