75 Mall Live Search
12:24 / E Hënë, 21 Tetor 2019 / indeksADMonline

Lumezi: Viktimat e krimit, do të trajtohen me respekt dhe dinjitet

Me moton: “Drejtësia rikthen dinjitetin e viktimave!”, sot është shënuar 10- vjetori i javës për të drejtat e viktimave të krimit.

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, u zotua se kanë forcuar moralin për respektimin e ligjit. Moszbulimi dhe mosndëshkimi i krimeve, tha se rrezikon përsëritjen e krimit.

“Dua t’i siguroj qytetarët e vendit që viktimat e krimit do të trajtohen me respekt dhe dinjitet. Nga gjithë ju prokurorët e shteti pres që t’u shërbeni me dinjitet viktimave sa herë që paraqiten”, tha ai.

Lumezi tha se duhet të punohet në ngritjen e kapaciteteve, në mënyrë që këto viktima të mos pësojnë me fatalitet, ashtu siç ka ndodhur.

E kryetar i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka thënë se nga viti në vit është shënuar progres në këtë drejtim. Sipas tij, Kosova nuk ka mungesë të legjislacionit, por si vend lëngon në zbatimin e saj.

“Praktika gjyqësore ka dëshmuar se ajo nuk është unike sa i përket shqiptimit të dënimeve. Sot në shënimin e javës për të drejtat e viktimave të krimit kemi ligjin para vetës dhe jemi të obliguar që të garantojmë drejtësi për ta. Nuk guxojmë te ndikohemi nga askush. Është e qartë se e kemi të pa falshme që të falim kryesit e krimit. Si shtet duhet të ngrisim kapacitet që të parandalojmë këto raste, sepse nuk mjafton vetëm ndëshkimi. Duhet të pranojmë që lëngojmë në zbatimin e legjislacionit”, tha Peci.