75 Mall Live Search
12:48 / E Shtunë, 07 Mars 2020 / indeksADMonline

Lumiri demanton opozitën: Po bëni propaganda, Vitia do të ketë qasje në autostradë

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka hedhur poshtë deklarimet e opozitës lidhur me mos-qasjen e Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Sipas tij, qasja e Vitisë në autostradë garantohet me Vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më parë.

“Vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Siç edhe ndodh me secilin vendim tjetër të Qeverisë sonë, opozita e zënë ngushtë e pa argument, e provon propagandën. Dhe propaganda e radhës qenka se me ndalesën e 50 milionëshit të djeshëm, ne i kemi lënë banorët e regjionit të Vitisë pa qasje në autostradë. Si arrijnë në këtë përfundim?!

Qasja e Vitisë në autostradë garantohet me Vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më parë. Vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë?

Kyçjen në Gërlicë të Vitisë e kemi paraparë edhe në programin qeveritar LDK-LVV; kapitulli i 8-te, faqe 32. Për dallim prej fjalëve të qeverisë së shkuar, ne do ta bëjmë këtë punë në këtë mandat. Më mirë e më lirë; më drejtë e më pastërt.