75 Mall Live Search
09:08 / E Mërkurë, 03 Dhjetor 2025 / P M

Lura nën petkun e dëborës, destinacion edhe në dimër

Parku Kombëtar i Lurës është veshur nga dëborë, duke krijuar një pamje të magjishme në zemër të Dibrës.

Liqenet akullnajore dhe pyjet e dendur janë zbardhur nga reshjet e ditëve të fundit, duke e kthyer zonën në një nga peizazhet më të bukura të dimrit në vendin tonë, shkruan ATSH.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga Lura duke e cilësuar si “pamje përrallore”.

Stina e dimri i jep Lurës një tjetër pamje duke e kthyer në një destinacion ideal për ata që duan të shijojnë magjinë e natyrës së bardhë.

Në këtë trevë janë të ndërthurura bukuritë natyrore, tradita dhe kultura, ndërsa peizazhi mahnitës ngjitet në majë në lartësinë e qiellit dhe ulet me shtatë liqenet, drejtë një lugine mes malesh.

Parku Kombëtar i Lurës ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe ka një sipërfaqe prej 12.8 km 2, duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurorës së Lurës.

Liqenet e Lurës kanë një sipërfaqe prej 1.280 hektarë dhe ndodhen në pjesën lindore të malit masiv të quajtur “Kurora e Lurës”. Me 14 liqenet e tij akullnajore krijon një ambient piktoresk dhe tërheqës në një lartësi nga 1.350 deri në 1.720 metra.

Parku Kombëtar i Lurës është zgjeruar edhe me liqenin e Zall-Gjoçaj, duke krijuar Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës” me një sipërfaqe prej 20 mijë e 242 hektarë.