75 Mall Live Search
12:40 / E Premte, 12 Dhjetor 2025 / S Z

Lushaku akuzon Kurtin për presion ndaj drejtësisë: Pushteti po i mbron të akuzuarit, jo ligjin

Nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër ndaj paraqitjes së mbrëmshme televizive të kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë se “ka hequr maskën” dhe ka dalë hapur në mbrojtje të zyrtarëve të Vetëvendosjes që po hetohen për korrupsion.

Sipas Lushakut, Kurti nuk ka mbrojtur drejtësinë, por “të gjithë të akuzuarit e partisë së tij”, duke e shfrytëzuar daljen publike për të atakuar organet e drejtësisë.

Lushaku e cilësoi këtë veprim si shenjë frike nga drejtësia dhe presion politik ndaj institucioneve të pavarura. Ajo shtoi se qasja e Kurtit përfaqëson “mentalitet autoritar” dhe se sjellja e tij dëshmon mungesë respekti për ligjin.

“Mbrëmë, Albin Kurti e hoqi maskën. Në televizion pas disa vjetësh mungesë, me plot zell, i mbrojti të gjithë të akuzuarit e partisë së tij. Jo drejtësinë. Jo ligjin. Por, njerëzit e Vetëvendosjes që po hetohen për korrupsion. Në të njëjtën kohë, sulmoi prokurorinë. Sulmoi gjyqësorin. Sulmoi shtetin e së drejtës. Kjo s’është mbrojtje e pafajësisë. Kjo është frikë nga drejtësia. Ky është presion politik. Ky është mentalitet autoritar. Çka të presim më shumë nga një kryeministër që vetë nuk i përgjigjet drejtësisë, që refuzon thirrjet e gjykatave dhe sillet sikur ligji vlen vetëm për të tjerët?” pyeti Lushaku.

Në fund, Lushaku bëri thirrje që Kosova të mos lejojë politizimin e drejtësisë.

“Kushtetuta dhe ligjet duhet të vlejnë për të gjithë dhe për pushtetin”, tha Lushaku.