Lushaku publikon një video të para dy viteve, e akuzon Nagavcin për dështim në arsim

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku ka publikuar një video të publikuar në 2023 me anë të së cilës e akuzonte ministren Nagavci për blerjen e librave nga prindërit.
Lushaku e kishte quajtur atë kohë këtë veprim si eksperiment që dëmton nxënësit dhe prindërit.
Dy vite më pas, Lushaku thotë se Nagavci dëmtoi buxhetin e shtetit, dëmtoi prindërit dhe nxënësit.
“MINISTRIA E ARSIMIT PAGOI MË SHUMË; PRINDËRIT VUAJTËN MË SHUMË E FËMIJËT MORËN MË PAK!
Tash e tri vite e kemi kritikuar Ministren Nagavci për dëmin që po ia shkakton buxhetit të shtetit duke i subvencionuar prindërit për librat shkollor.
Në vend që t’i blejë vetë me çmim më të ulët Ministria e Arsimit, siç e ka për detyrë, ua la prindërve në dorë që t’i blejnë me çmimet më të larta nëpër librari.
Në vend që shteti të blejë 300 mijë ekzemplarë me çmim furnizuesi, qytetarët janë detyruar t’i blejnë individualisht me çmime tregu. E di secili prind që një libër në librari kushton shumëfish më shumë sesa në blerje me shumicë.
Ministria ka paguar më shumë. Prindërit janë maltretuar me lista të pafundme. E fëmijët në shumë raste nuk i kanë pasur të gjitha librat as në fund të vitit shkollor.
Kjo nuk është ndihmë, por dëm!
Nuk është reformë, por mashtrim!
Nuk është lehtësim, por barrë shtesë mbi prindërit dhe fëmijët e Kosovës! Dhe, fatura për këtë keqmenaxhim të organizuar do t’u kushtojë të gjithëve.
PS: Me keqardhje po e ndaj këtë video të vitit 2023, sa për ilustrim” shkruan Jehona Lushaku në reagim./Indeksonline/