75 Mall Live Search
13:27 / E Premte, 22 Mars 2024 / S Z

Lushaku-Sadriu: Arsimi me Kurtin dorëzim dhe dështim

Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se arsimi me kryeministrin Albin Kurti, është dështim dhe dorëzim.

Lushaku -Sadriu ka shkruar në Facebook se të pranosh dështimin është fillimi i përgjegjësisë dhe reflektimit. Por, të hedhësh barrën e keq-qeverisjes mbi supet e prindërve sipas saj, nuk është vetëm një akt i papranueshëm, por edhe një shfaqje e pastër e hipokrizisë.

“Sipas logjikës së Kryeministrit Kurti, trinomi i fajësisë për gjendjen e arsimit përfshin nxënësit, mësuesit dhe prindërit – por asnjëherë qeverisjen e tij të paaftë. Në tre vitet e tij në detyrë janë alokuar plot 370 milionë euro për arsimin. Përfundimi? As strategji, as vizion, e as zgjidhje konkrete për sfidat e përballuara”, ka shkruar Lushaku-Sadriu në Facebook.

Ndërsa ka thënë se premtimeve për ndërtimin e qindra çerdheve,  u mungon realizimi pasi që as pesë nuk janë ndërtuar në tre vite.

“Bibliotekat e reja? Janë vetëm një ëndërr e parealizueshme. Nismat për të rritur cilësinë e arsimit mungojnë plotësisht. Rreth ndërlidhjes mes tregut të punës dhe arsimit pyes veten: për cilin treg pune flet kryeministri, kur të rinjtë e vendit po e braktisin Kosovën çdo ditë në kërkim të mundësive në Evropë? Në vitin e fundit të mandatit të tyre, askush nuk mund të pretendojë se arsimi ishte prioritet i një qeverie që dikur i etiketoi qytetarët si “analfabetë të fshehtë”. Zhvillimi i vërtetë arsimor kërkon më shumë se fjalë të bukura; kërkon përkushtim të vërtetë, përditë dhe transparent”, ka shkruar Lushaku-Sadriu në Facebook.