17:23 / E Martë, 03 Tetor 2017 / indeksADMonline

Lushtaku flet për Rikalon, ka një mesazh për Veselin e Haradinajn

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka komentuar për çështjen e Nenad Rikalos, ministrin serb të Bujqësisë, për të cilin sot u zhvillua një seancë e gjatë, nëse duhet shkarkohet për shkak të akuzave për krime lufte në Kosovë.

Lushtaku ka thënë se drejtësia nuk duhet të zbatohet me standarde të dyfishta, duke përmendur rastin e Sami Lushtakut që u akuzua për një vrasje inekzistente dhe Sylejman Selimit që u dënua për një shuplakë e shumë të tjerë që mbahen në burgje.

Postimi i tij i plotë i Lushtakut:

Çështja e Rikalos

Ndonëse nuk kisha dashur asnjëherë që reagimi ime i parë si deputet të lidhet me këtë temë, por që mendoj se Drejtësia nuk duhet të zbatohet me standarde të dyfishta dhe pikërisht standardi i dyfishtë më ka prekur mua në palcë, familjen time dhe shumë familje tjera në Kosovë. Për të gjithë juve që ndoshta keni harruar:

Dua t’ua përkujtoj rastin e babës tim, Sami Lushtakut, u cili u akuzua e u fajësua për një vrasje inekzistente dhe për përgjegjësi komanduese, por falë Zotit u shpall i pafajshëm për këto akuza. Pastaj, Komandati i UÇK-së, Sylejman Selimi, u dënua për një shuplakë, dhe shumë të tjerë që mbahen në burgje padrejtësisht e të pafajshëm.

Ndonëse kanë kaluar gati 20 vjet nga lufta dhe tmerret e saj që kemi përjetuar të gjithë. Kush më shumë e kush më pak, e dimë se çfarë kanë bërë regjimi serb në Kosovë, ku secila familje është dëmtuar qoftë në njerëz ose në pasurinë që ka poseduar.

Mua më kanë vrarë dajën e vetëm i cili la 8 jetima pas, rreth 100 banorë, civil të pafajshëm, të fshatit tim regjimi serb i vrau, ndër ta edhe kushëririn tim. Duke mbrojtur pragun e shtëpisë dhe nderin e tyre, regjimi kriminal serb vrau e më pas masakroi familjen Jashari. Dhe krime e barbari të këtilla duhet të dalin para drejtësisë. Një kriminel lufte, që ka një aktakuzë nga prokuroria e që shpallet fajtor nga organet e drejtësisë, as edhe një minutë nuk do ta përkrah qëndrimin e tij në Qeverinë e Kosovës, kushdo qoftë ai.

Edhe në rastin e të akuzuarit Nenad Rikallo, në bazë të vendimit përfundimtar që do të sjellin organet e drejtësisë, unë do ta përkrah atë verdikt. Unë besoj në organet e drejtësisë së vendit tim. Nuk dua të paragjykoj ose ndikoj vendimin e gjykatës, por i sip ërpërmendur nëse është personalisht në ndonjë krim, ose ka pasur përgjegjësi komanduese, atëherë duhet të marrë atë që meriton sipas ligjit. Nëse ka fakte të pamohueshme që vërtetojë fajësinë apo të kundërtën për Rikallon, unë jam që të zbatohet drejtësia mbi të, jo pse është i etnisë serbe, sepse asgjë s’kam kundër serbëve, sepse s’jam racist, por të gjithë jemi qytetarë të Republikës së Kosovës, andaj edhe ligji duhet të vlejë njëjtë për të gjithë ne.

Drejtësia duhet të zbatohet pa asnjë lloj preference si dhe duhet të tregohet e pamëshirshme për ata që kanë bërë krime në Kosovë.

Inkurajoj organet e drejtësisë që të bëjnë punën e tyre konform infrastrukturës ligjore të vendit, dhe të vërë para drejtësisë të gjithë ata të cilët kanë tmerruar popullatën e pafajshme në Kosovë dhe ata që kanë bërë krime të marrin dënimin e merituar.

Duhet të bëhet e qartë para të gjithëve, edhe para Botës se kush ka qenë agresori e kush viktima në Kosovë. Drejtësia duhet të eliminojë mjegullnajën që mbizotëron ende në Kosovë fatkeqësisht.

Pa dashur të paragjykoj vendimin final të organeve të drejtësisë për rastin Rikallo, nëse ai shpallet fajtor, dhe paraprakisht ka pasur informata për të në përfshirje në luftën e Kosovës, çfarë t’u themi atyre që kanë bashkëpunuar dhe bashkëthemeluar organizata që kanë funksionuar lirshëm në Kosovë?

Besoj që njerëzit të cilët kanë udhëhequr luftën, duke qenë të gatshëm të sakrifikojnë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre, përfshirë këtu edhe Kadri Veselin e Ramush Haradinajn, nuk do të lejojnë që një kriminel lufte që ka bërë krime mbi popullatën shqiptare të jetë pjesë e kabinetit qeveritar.