23:57 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Lushtaku optimist i madh: “Nëse sot mbahen zgjedhjet, PDK del më e fortë se çdo herë tjetër”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Dega në Skenderaj, Sami Lushtaku thotë se PDK-ja në këtë komunë është më e fortë se çdo herë tjetër, pavarësisht përplasjeve të fundit që shpërthyen në këtë degë.

Largimi i Bekim Haxhiut nga posti i nënkryetarit të degës dhe largimi i disa asamblistëve të partisë nga Kuvendi Komunal, për Lushtakun nuk është humbje e cila do të ndikoi në elektorat.

Lushtaku thotë se nëse sot do të mbaheshin zgjedhjet, PDK do të marr shumë më shumë vota se më herët.

“Realisht asnjë përçarje nuk ka në PDK. Ne jemi të qartë gjatë gjithë këtyre ditëve se s’ka asgjë përpos asaj qe ka ndodhë me zëvendësin që unë e kam pas, pra me Bekim Haxhiun. Tjetër përçarje apo problem nuk ka”, ka thënë Lushtaku për Indeksonline.

Ai gjithashtu ka shtuar se edhe pas largimit të Haxhiut dhe disa anëtarëve, PDK do të vazhdoj të jetë e bashkuar.

“Madje kurrë më të bashkuar në PDK nuk kemi qenë, po na thërrasin njerëzit nëpër oda, në konake, ka intelektualë të shumtë të cilët po vijnë, pra jemi në përkrahje maksimale. Tash PDK me dalë në zgjedhje, shumë më shumë fiton”, ka shtuar Lushtaku.

Ish kryetari i komunës është pyetur se a ka kontaktuar më me Bekim Haxhiun dhe se a kanë diskutuar pas fyerjeve që janë bërë në drejtim të njëri-tjetrit.

“Me Bekim Haxhiun nuk kam asgjë veç ai ka bërë shkelje statutare dhe unë e kam respektuar statusin dhe e kam largu. Cilat ofendime? S’besoj se kam ofenduar as atë as askënd tjetër”, ka përfunduar Lushtaku./Indeksonline/