75 Mall Live Search
18:41 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / Z S

Lushtaku pas kandidimit: Unë i kam borxh të përjetshëm Skenderajt, qytetarëve të tij dhe çdo njeriu që e ka në zemër Drenicën

Sami Lushtaku është kandidat i Partisë Demokratike për kryetar të Komunës së Skenderajt, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Ai ka njoftuar të enjten se e ka marrë mbështetjen e degës së partisë përmes një njoftimi në rrjetin social në Facebook.

Ndër të tjera Lushtaku u shpreh se Unë i kam borxh të përjetshëm Skenderajt, qytetarëve të tij dhe çdo njeriu që e ka në zemër Drenicën.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të Skenderajt,

Sot, Kryesia e Degës së PDK-së në Skenderaj, në mënyrë unanime, mbështeti kandidaturën time për kryetar të komunës së Skenderajt për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ky vendim i imi erdhi si përgjigje ndaj besimit tuaj të vazhdueshëm ndaj meje në çdo palë zgjedhje, prej që jam futur në politikë.

Kandidatura ime vjen edhe si rezultat i padrejtësive ndaj meje në të kaluarën, përfshirë mbajtjen e 4 vite e gjysmë burgim gjatë viteve 2013-2017, proces nga i cili në fund jam shpallur i pafajshëm, si dhe më pas, moslejimi i kandidaturës sime në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga KQZ, për shkak të presioneve politike nga eksponentë të pushtetit aktual i cili tashmë është në shkuarje.

Të dashur qytetarë,

Unë jam prej atyre njerëzve që nuk ndalen.

Unë i kam borxh të përjetshëm Skenderajt, qytetarëve të tij dhe çdo njeriu që e ka në zemër Drenicën.

Kandidimi im është thirrje për bashkim, për zhvillim, për drejtësi dhe për dinjitetin e Skenderajt.

Skenderaj do të bëhet çdo vit më i zhvilluar, me punë, me projekte dhe me udhëheqje të drejtë për të gjithë kurse programin e plotë do ta paraqes gjatë javëve të ardhshme.

Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin aktual të komunës, Fadil Nura, për punën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe.

Duke qenë mirënjohës përjetë për besimin dhe mbështetjen tuaj ndaj meje dhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, do të jemi bashkë si gjithmonë në çdo proces!

Faleminderit përjetësisht!

SL