75 Mall Live Search
15:18 / E Hënë, 07 Tetor 2019 / indeksADMonline

Lutfi Haziri flet për Indeksonline: Pa u numëruar të gjitha votat s’flasim për koalicion me VV-në

Ka përfunduar numërimi i votave nga Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 6 tetorit, duke përjashtuar këtu votat me kusht dhe ato të diasporës.

Nga rezultatet e deritashme Lëvizja Vetëvendosje është duke udhëhequr edhe pse me një diferencë të vogël me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Befasia e rezultateve ishte në disa komuna, përfshirë edhe atë të Gjilanit, ku triumfoi Vetëvendosje.

Nga 100% vota të numëruara në këtë komunë, VV-ja mori 17 mijë e 864 vota apo, 39.31%, kurse LDK-ja 12 mijë e 217 vota apo 26.88%.

Lidhur me këtë rezultat Indeksonline ka kontaktuar kryetarin e Gjilanit njëherësh nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Haziri.

Haziri ka falënderuar qytetarët e Gjilanit për kulturën e treguar në këto zgjedhje.

Sipas tij, rezultati i këtyre zgjedhjeve është i përsëritur nga viti 2017.

“Është rezultat i përsëritur i vitit 2017, LDK-ja e ka një rritje prej 900 votave ndërsa Vetëvendosje e ka rikthyer votën politike të vitit 2017, pra situata është përsëritje e njëjtë. Dua të falënderoj votuesit në Gjilan për kulturën e tyre politike për shprehjen e vullnetit të tyre politik dhe LDK-ja është parti e cila mbetet në kuotën e vetë politike në Gjilan si kryesore”, tha Haziri.

Më tej, ai theksoi se koalicioni Vetëvendosje-LDK është i vetmi i pëlqyer për momentin dhe se nuk ka asnjë tjetër.

Njësoj si kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani edhe Haziri deklaroi se do të presin deri në numërimin e votës së fundit për të diskutuar më pas për koalicion të mundshëm.

“Pa u zbardh çdo votë pa u pa do të thotë të gjitha votat nuk ka me pas zhvillime tjera kështu që po presim që KQZ me i konfirmu me i certifiku listat e rezultateve zgjedhore, me i certifiku deputetët kështu që më pas diskutimi është i hapur”, përfundoi Haziri.

LDK-ja u rendit si parti e dytë në këto zgjedhje, pasi Vetëvendosje pati një shtrirje të gjerë në thuajse shumicën e komunave të Kosovës./Indeksonline/