22:52 / E Premte, 19 Korrik 2019

Lutfi Haziri: Nuk e kemi dashur në këtë mënyrë dorëheqjen e Haradinajt

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kërkon urgjentisht nga presidenti i Republikës Hashim Thaçi të caktohet data e zgjedhjeve.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se partia e tij nuk e ka dashur në këtë mënyrë dorëheqjen e Haradinajt, por Kosova tashmë është në zgjedhje.

“Ne nuk e kemi dashur në këtë mënyrë dorëheqjen e Haradinajt, por Kosova tashmë është në zgjedhje. LDK kërkon nga presidenti i Republikës që ta ushtrojë detyrën kushtetuese dhe ta caktojë datën e zgjedhjeve sa më shpejtë”, ka thënë Haziri.

Ai tha se nuk ka nevojë që të thellohet kriza politike.

“Vendi, situata aktuale politike dhe vetë akti i dorëheqjes, kërkon legjitimitet politik e jo formula artificiale për të vazhduar mandatin për ndonjë javë ose muaj. Çdo tendencë për zhagitje i përngjan vetë koalicionit PAN, i cili sot është zhag për toke. Kjo është arsyeja që gjithmonë e kemi bërë përgjegjës PAN-in për gjendjen në vend, e jo veç kryeministrin”, ka thënë ai.

Pra, zgjedhjet sipas Hazirit, i përcakton sovrani, e jo PAN-i./Indeksonline/