15:28 / E Enjte, 22 Tetor 2020 / OSH

LVV: Hajnat e 2 milionëshit dikush i ka garantuar se s’do të dënohen

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar përmes një konference për media lidhur me skandalin e vjedhjes së mbi 2 milionë eurove nga buxheti i shtetit. Deputeti i këtij subjekti politik, Hekuran Murati tha se personave që ia vodhën shtetit këto miliona dikush i ka garantuar se nuk do të dënohen, raporton Gazeta Express.

“Kjo është çështje shumë shqetësuese për shkak se po na e rikthen atë normalitetitin e pretenduar. Normalitetin ku krimi nuk ndëshkohet, ku krimi merr zemër, sepse duhet më shumë sesa vetëm planifikim për ta bërë një veprim të tillë. Pra, procedurat edhe rregullat edhe sistemi në Thesar nuk do ta lejonte një gjë të tillë dhe një person nuk do të guxonte ta bënte një gjë të tillë marrë parasysh pasojat…. Kur rikthehen partitë e mendësisë së stërvjetruar, është normale që personat e tillë të bëjnë veprime të tilla, sepse dikush u ka garantuar se nuk do të ndëshkohen”, ka thënë Murati.


Ai ka përmendur edhe skandalet e kaluara, për të cilat nuk është dënuar askush.

“Kemi situatë të tillë si kur u vodh dhoma e dëshmive dhe nuk u dënua askush, janë dhënë 53 milionë euro dhe nuk ka dhënë llogari askush, janë vjedhë avanse në emër të vizitave zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk është dënuar ende askush”, tha Murati.

Ai ka thënë se kërkojnë që e gjithë Qeveria të japin dorëheqje, pasi rithekson se ata që kryen këtë vjedhje kanë garanca se do të jenë të paprekshëm

“Nuk mund të flitet këtu vetëm për planifikim. Pra, këtu kemi të bëjmë me guxim, në një sistem ku në fund të ditës gjithçka duhet të barazohet me bë një veprim të tillë. I vetmi shpjegim është që ai person ka garanca se do të jetë i paprekshëm, njësoj siç kanë qenë personat që kanë vjedhë dhe janë korruptuar në të kaluarën”, ka thënë Murati.