LVV-ja kritikohet për “politizim” të operacionit të FSK-së në veri

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, po akuzohet se e politizoi operacionin humanitar të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ekipet e së cilës u angazhuan për gjetjen e trupit të 33-vjeçarit i cili ishte mbytur në Liqenin e Ujmanit.
Dislokimi i njësive të specializuara të kërkim-shpëtimit në veriun e banuar me shumicë serbe, sipas analistëve politikë, u shfrytëzua nga LVV-ja për propagandë politike. Të njëjtit thonë se diplomatët e vendeve të Perëndimit u detyruan të reagojnë edhe për çështje të kësaj natyre, në mënyrë që “propaganda e partisë në pushtet të mos marrë hov”.
Pasi FSK-ja u përfshi në operacion, Lëvizja Vetëvendosje tha se kjo po ndodh për herë të parë si ushtri. Megjithëse, operacione humanitare ishin zhvilluar edhe më parë.
Kjo nxiti reagime të shumta, përfshirë edhe atë të Ambasadës së Gjermanisë dhe Francës, të cilat shprehën shqetësimin për, siç thanë ato, përpjekjet për politizimin e dislokimit të një ekipi të kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Liqenin e Ujmanit.
Ndërkaq, Ambasada e Britanisë së Madhe e vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në operacionin e kërkim-shpëtimit për gjetjen e të riut në Ujman.
Politologu Artan Muhaxhiri thotë për KosovaPress se LVV-ja tentoi të përfitonte poena politikë me rastin e përfshirjes së njësive të FSK-së në veri, por shtoi se qeveria në detyrë kishte një reagim më të kontrolluar. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kishte përshëndetur bashkëpunimin mes Agjencisë për Menaxhimin Emergjent, FSK-së dhe KFOR-it për gjetjen e trupit të 33-vjeçarit.
Sipas tij Muhaxhirit, reagimet e Ambasadës gjermane dhe asaj franceze janë të pritshme, pasi gjendja në veri të vendit ka gjithmonë potencial për eskalim.
“Reagimet e tilla janë të pritshme, pasi veriu është një fuçi baruti. Është një pjesë e Kosovës që ka shumë potencial për eskalim dhe rikthimi në pikën e normalitetit është shumë i vështirë dhe kërkon resurse”, thekson ndër të tjera Muhaxhiri.
Dislokimi i trupave të FSK-së në veriun e banuar me shumicë serbe mund të bëhet vetëm me pëlqim paraprak të KFOR-it, në bazë të një zotimi të bërë në vitin 2013 nga Qeveria e Kosovës dhe NATO.
Sipas analistes politike, Magbule Shkodra, FSK-ja edhe më herët ka kryer operacione të kërkim-shpëtimit në veri të vendit. Ajo kritikon Lëvizjen Vetëvendosje se në vazhdimësi po tenton të politizojë çdo gjë që ndodh në veri, në mënyrë që ta paraqesë si sukses.
Sipas saj, edhe Ambasada gjermane dhe ajo franceze u detyruan të reagojnë, që siç thotë ajo, “propaganda e LVV-së të mos marrë hov”.
“ Sa herë që ndodh diçka atje, LVV-ja mundohet që atë situatë ta paraqesë si sukses të vetin. Ishte shqetësues edhe reagimi i ambasadorit gjerman, i cili reagoi për ato foto që kishte publikuar LVV-ja… Ambasadorët detyrohen që edhe për çështje të kësaj natyre të reagojnë, në mënyrë që propaganda e LVV-së të mos marrë hov”, deklaron ajo.
FSK-ja ishte angazhuar në këtë operacion në veri pas autorizimit të dhënë nga komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani. Trupi i pajetë i 33-vjeçarit që kërceu nga ura në Liqenin e Ujmanit të dielën, në ditën e tretë të kërkimit, kur intervenuan njësitet e kërkim-shpëtimit të FSK-së.
Kritika për politizim të këtij rasti ndaj LVV-së u adresuan edhe nga eksponentë të partive që deri tani kanë qenë në opozitë