“LVV-ja po e zgjatë ngërçin qëllimisht”, Zemaj: Duan të mbajnë pozitat paligjshëm

Armend Zemaj, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në një linjë direkte në Five në RTV Dukagjini, ka thënë se që nga vendimi i parë, vendimi i atakuar i Gjykatës Kushtetuese ka qenë shumë i qartë për të gjithë, por ka mbetur i paqartë dhe i pazbatueshëm nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nga z. Kurti si kryetar i saj.
“Ky ngërç politik tashmë e ka një synim dhe një qëllim, i cili është stërzgjatja e këtij procesi, për dy arsye: një, që të rrinë në pozitat e paligjshme në qeveri, dhe dy, të mos ketë konstituim të Kuvendit dhe rrjedhje të afateve për qeveri, numrat e të cilës nuk i ka Lëvizja Vetëvendosje për të bërë qeverinë e re si parti e parë e dalë nga zgjedhjet e shkurtit,” ka thënë ai.
“Andaj nuk kemi asnjë dyshim – edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë të tjerët është mëse e qartë – se ky ngërç politik e ka një arsye të kësaj bllokade… një arsye e pasinqertë, e pamoralshme, që po e dëmton Kosovën, po i dëmton institucionet e saj, e që rrjedh nga qëllimet e këqija të Lëvizjes Vetëvendosje,” ka thënë Zemaj./Indeksonline/