75 Mall Live Search
13:47 / E Mërkurë, 31 Korrik 2024 / MSH

LVV-ja thotë se Komisionit hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore i ka kaluar mandati

Grupi parlamentar i LVV-së gjatë një konference për media ka deklaruar se sipas vendimit të Komisionit, hetimit parlamentar për subvencionimin e teksteve shkollore 2023/24, i ka kaluar mandati.

Deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza, pohoi se anëtarët e komisionit e kanë votuar vetë planin e veprimit në të cilin parashihej që intervistimi i dëshmitarëve të kryhej deri më 31 korrik.

Sipas Fejzës, kryesuesi i komisionit, Shemsedin Dreshaj, “më 26 korrik u ka dërguar e-mail anëtarëve të komisionit që mbledhja e paraparë më 29 korrik do të zhvendosej më 9 shtator, në sesionin vjeshtor të kuvendit për shkak se kuvendi është në pushim, asnjë grup parlamentar nuk është duke mbajtur mbledhje dhe ka mungesë së kuorumit”.

Megjithatë, Fejza thotë se kuvendi nuk është në pushime.

“Kuvendi e ka të përcaktuar me rregullore se kur shkon në pushim. Kuorumi konstatohet në fillim të mbledhjes dhe jo siç ka bërë kryesuesi në emailin e dërguar anëtarëve. Grupet parlamentare ende janë duke mbajtur mbledhje”, ka thënë Fejza.

Fejza shtoi se vendimi është marrë nga vetë deputeti Dreshaj, pa miratimin e anëtarëve të komisionit.

Në një reagim para dy ditësh, kryesuesi i Komisionit hetimor për subvencionimin e teksteve shkollore, Shemsedin Dreshaj, ka akuzuar LVV-në se po tenton të bëjë puç ndaj tij “për të fshehur manipulimet me subvencionimin e teksteve shkollore”.