18:19 / E Mërkurë, 08 Mars 2023 / S Z

LVV kërkon hetim për rastet e dhunës seksuale në 5 vitet e fundit

Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes ka proceduar ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për rastet e dhunës seksuale në 5 vitet e fundit. Këtë komision hetimor parlamentar sipas Ligji për hetimin do ta drejtojë opozita.

“Shumë është thënë mbi dhunën seksuale ndaj grave. Mijëra programe janë financuar këto dy dekada në institucionet e sigurisë, hetimit dhe gjyqësisë. Ende sot, 15 vite pas shpalljes së pavarësisë, në sistemin gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës numërohen qindra raste të zvarritjes se lëndëve për viktimat e dhunës seksuale. Ka qenë dhe ende mbetet e paprecedentë natyra e vendimeve dhe lirimi i abuzuesve në disa raste si dhe mostrajtimi i përpiktë i disa rasteve të tjera që kanë dërguar edhe në pasoja fatale. Në emër të pavarësisë dhe ndarjes së pushteteve po pamundësohet gjetja e përgjegjësve të lëshimeve në parandalimin e rasteve fatale, përdhunimeve apo dhunës në përgjithësi. Ndaj është detyrë e Kuvendit të Republikës të marrë rolin që i takon me ligj nëpërmjet Komisionit Hetimor Parlamentar për të shqyrtuar të gjitha hallkat shtetërore që u takojnë pushteteve të ndryshme e të ndara se ku dhe çka ka ndodhur me rastet e trajtimit të dhunës seksuale dhe dhunës ndaj grave”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Tutje ky subjekt politik, i cili qeverisë me vendin, ka thënë se mbrojtja e jetës së grave dhe vajzave, dinjiteti i tyre, në përgjithësi barazia gjinore nuk mund të qëndrojnë pezull deri sa të zgjidhen të gjitha çështjet e tjera.

“Ka shumë përgjegjës në institucionet tona që këto vitet kanë pasur përgjegjësi sigurinë e grave. Ajo siguri kur i është dashur më së shumti nuk u është dhënë. Shteti ekziston për ta mbrojtur qytetarin nga cenimi i jetës dhe dinjitetit. Pa këtë mbrojtje nuk mund të funksionojë shoqëria. Lëvizja Vetëvendosje është duke përdorur çdo mekanizëm kudo që ndodhen përfaqësuesit e saj: në Qeveri, në Kuvend, në Komuna e në aktivizëm. Ne besojmë se ka tepër shumë nevojë që në jetën tonë publike e institucionale të trajtohet me përpikëri faji e përgjegjësia apo dhe dështimi i çdo hallke institucionale në rastet e përdhunimeve, vrasjeve, rrahjeve, fyerje, përndjekjeve dhe keqtrajtimeve sistematike ndaj grave dhe vajzave. Hetim për çdo lëshim”, thuhet tutje në komunikatë.