16:39 / E Enjte, 16 Maj 2019

LVV mbështet rezolutën për gjenocidin serb, ka vërejtje për çështjet faktike

Deputeti Sami Kurteshi nga Vetëvendosje, ka thënë se e mbështesin rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë dhe se do ta votojnë, por që ka thënë se kanë disa vërejtje sa i përket çështjes faktike pasi sipas tij kanë qenë disa probleme.

Kurteshi ka thënë se nuk janë shteruar të gjitha hulumtimet, sipas tij në disa raste ka të dhënë që nuk janë të njëjta dhe se pjesa faktike e mbështetur në të dhëna shkencore të bazuara është e varfër.

“Unë kam bindjen se teksti i rezolutës është mbështetur dhe ka marrë parasysh të gjitha instrumentet relevante ndërkombëtare që kanë të bëjnë me këtë çështje. Sa i përket çështjes faktike, kjo ka qenë pjesa më problematike unë e them këtu qartë, se ne duhet të votojmë diçka për të cilën duhet të dimë se çka përmban. Unë kam bërë përpjekje të shfletoj të gjitha dokumentet, gjithë literaturën e të gjitha institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës që janë marrë me hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë. Fatkeqësisht po e them edhe një herë   këtu kemi vërejtjet, me të drejtë janë disa vërejtje të cekura, fatkeqësisht së pari nuk janë shteruar të gjitha hulumtimet, çështja tjetër është se nganjëherë kemi të dhëna që nuk janë të njëjta dhe çështja e tretë është se nëse bëjmë përpjekje që pjesa faktike të mbështetet në të dhëna shkencore të bazuara ajo pjesë jashtëzakonisht është e varfër dhe në këtë rast ka qenë e mundur që të bazohemi vetëm në të dhënat e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës që nuk janë shteruese dhe nuk janë të plota”, tha ai.

Kurteshi tha se në rezolutë përmenden rreth 100 masakra, por që sipas tij numri i tyre është shumë më i madh. Ai tha se ka qenë e pamundur që me numrin e hulumtimit të nxirret më shumë.