“Lybeniqi, dëshmia që fëmijët tanë jetojnë të lirë dhe të barabartë”, thotë deputetja Musliu-Shoshi

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ka përkujtuar masakrën e Lybeniqit të Pejës.
Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka shkruar se Lybeniqi është njëri nga vendet ku shteti i Serbisë kreu masakrën më të tmerrshme ndaj 80 qytetarëve të pafajshëm, duke përfshirë të moshuarit, gratë dhe fëmijë.
“Ata nuk po ndërronin jetë natyrshëm, por jetët e tyre po merreshin dhunshëm, nga forcat ushtarake okupuese të Serbisë. Kështu bënte Serbia. Duke tentuar të dëmtonte e ta mbyste luftën për liri dhe pavarësi të Kosovës, përmes frikësimit e vrasjes së civilëve. Por, ajo më shumë ngritej e lartësohej tek djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan dinjitetshëm dhe krenarë për vendin e tyre.
Lybeniqi është dëshmia përmes së cilës ne dhe fëmijët tanë jetojnë të lirë dhe të barabartë. Lavdi”, ka shkruar ajo. /Indeksonline/