“Ma mirë me më pas vra se çka më kanë bërë” – rrëfimi tronditës i të mbijetuarës së dhunës seksuale

Në ditën e tretë të transmetimeve të “Debat Plus” kushtuar grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, një e mbijetuar ka treguar përjetimet e rënda të saj.
Ajo ka rrëfyer se forcat serbe e kanë dhunuar atë në një dhomë, ndërsa në dhomën tjetër ndodhej motra e saj që përjetonte të njëjtin tmerr.
“Më mirë me më pas vra mua atë ditë, se sa çka më kanë bërë, ma mirë u kanë lirisht, me më pas vra mua dhe motrën, nuk isha kanë më edhe sikur të gjithë që kanë vdekur, kisha vdekur edhe unë, s’e kisha përjetuar tërë jetën. Unë sot kur ma qesin stopin rrëqethna, më frikëson, edhe sot pas disa viteve. Faleminderit prej gjithëve, prej policisë sonë, kanë sjellje të mira, kur gaboj më dënojnë, por faleminderit prap ju them”, ka thënë ajo në Debat Plus.
Ajo rrëfeu se për shumë vite nuk ia kishte treguar askujt për atë që i kishte ndodhur, as fëmijëve, as burrit që ishte në gurbet.
Zemrën për herë të parë ia kishte hapur një shoqeje, përmes së cilës kishte rënë në kontakt me “Medica Gjakova”.
Prej asaj kohe, ajo thotë se është ndier më e lirë.
“Qëkur kam filluar me folë, më është çliruar pak zemra. Motra ime ka qenë më e rënduar. Nuk ka dashur me folë, veç me mua. Por me kalimin e kohës, edhe ajo është çliruar pak, edhe pse frika nuk i hiqet”./Indeksonline/