Machado: Venezuela së shpejti do të jetë demokratike dhe e lirë
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, është zotuar se vendi i saj së shpejti do të jetë “i ndritshëm, demokratik dhe i lirë”.
Ajo foli në Norvegji, pasi vajza e saj pranoi çmimin “Nobel” për paqen të këtij viti në emër të saj.
Machado foli një ditë pasi SHBA-ja sekuestroi një cisternë nafte në brigjet e Venezuelës, duke intensifikuar një fushatë presioni mbi vendin që ka përfshirë zhvendosjen e trupave në Karaibe, sulme ndaj anijeve të dyshuara për drogë dhe kërcënime kundër udhëheqësit të saj, shkruan CNN-i.
E pyetur nëse do ta mbështeste ndërhyrjen ushtarake amerikane në Venezuelë, Machado nuk u përgjigj drejtpërdrejt, duke përsëritur thirrjen e saj për bashkësinë ndërkombëtare që të ndihmojë në ndalimin e dhunës, represionit dhe burimeve të financimit që mbështesin regjimin e presidentit Nicolás Maduro.

