11:19 / E Shtunë, 01 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Macron: Britania tani të mos presë të njëjtin trajtim

Presidenti francez, Emmanuel Macron paralajmëroi se ndonëse Franca ka dashur që të mbajë lidhje të forta me Britaninë pas Brexitit, tani ky shtet nuk mund të presë që të trajtohet në të njëjtën mënyrë si në kohën kur ishte ende pjesë e Bashkimit Evropian.

“Nuk mund të jetë brenda dhe jashtë”, ka thënë Macron, duke iu referuar Mbretërisë së Bashkuar. “Populli britanik ka vendosur të largohet nga BE-ja. Sigurisht, tani nuk do të ketë të njëjtat detyrime, por nga ana tjetër nuk do të ketë as të njëjtat të drejta e privilegje”, tha shefi i Elizesë.

Macron shtoi se ai do të mbrojë interesat e peshkatarëve, bujqve dhe punëtorëve francezë, në negociatat që do të zhvillohen në të ardhmen mes Britanisë dhe bllokut europian.

“Në këto negociata, të 27 vendet do të jemi të bashkuara”, ka qenë komenti i tij. Lideri francez, siç kujton REL, njihet për linjën e tij të ashpër ndaj Brexit, të cilën e ka ndjekur që në fazat e para të këtij procesi.

Pas shkëputjes nga BE-ja, që ndodhi mbrëmjen e 31 janarit, Mbretëria e Bashkuar hyn tani në një periudhë tranzitore 11-mujore, gjatë të cilës do t`i duhet të zbatojë rregullat e bllokut por pa u përfaqësuar në institucionet e tij.

Kjo periudhë pritet të zgjasë deri më 31 dhjetor. Shkëputja e Britanisë erdhi pas referendumit të organizuar në 2016-n, në të cilën 52 për qind e votuesve britanikë u shprehën pro daljes nga unioni, dhe 48 për qind ishin kundër.