75 Mall Live Search
14:01 / E Enjte, 10 Korrik 2025 / MSH

Macron dhe Starmer nisin bisedimet për marrëveshjen për emigrantët

Kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, janë në bisedime për të shpallur një marrëveshje pilot për emigracionin e paligjshëm, që do të funksionojë sipas parimit “një te ne, një te ju”.

Sipas mediave britanike dhe franceze, njoftimi zyrtar pritet të bëhet të enjten, në fund të një vizite shtetërore triditore të Macronit në Mbretërinë e Bashkuar — vizita e parë e një udhëheqësi të një vendi anëtar të BE-së që nga Brexit-i.

Marrëveshja parashikon që Britania të kthejë në Francë deri në 50 emigrantë në javë që kanë mbërritur me gomone përmes Kanalit Anglez, ndërkohë që në këmbim do të pranojë një numër të barabartë azilkërkuesish që ndodhen në Francë dhe që kanë lidhje familjare në Britani.

Nëse skema piloto rezulton e suksesshme, ajo pritet të zgjerohet ndjeshëm në javët ose muajt në vijim.

Sipas gazetës Le Monde, marrëveshja është ende në diskutim dhe përfshin çështje të ndjeshme si financimi, ndarja e përgjegjësive dhe ndryshimet ligjore të nevojshme në Francë, ku aktualisht policia nuk mund të ndërhyjë ndaj gomoneve që janë më shumë se 300 metra larg bregut, përveç rasteve kur ka rrezik për jetën.

Autoritetet franceze kanë kërkuar fonde shtesë për të përballuar kostot e operacioneve, që përfshijnë më shumë patrulla, varka, oficerë policie dhe drone mbikëqyrës.

Në një deklaratë për BBC-në, sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, tha se marrëveshja ende nuk është konfirmuar, por theksoi se tani “për herë të parë ekziston një mirëkuptim i përbashkët mes dy vendeve për këtë sfidë të përbashkët”.

Kjo përpjekje për bashkëpunim vjen në një kohë kur qeveria britanike e udhëhequr nga laburistët kërkon të vendosë një qasje më efektive dhe të koordinuar për të frenuar kalimet e paligjshme të Kanalit Anglez, të cilat mbeten një çështje e ndjeshme politike.

Pas Breaxit, Mbretëria e Bashkuar nuk ka më një marrëveshje deportimi te emigranteve me vendet anëtare të BE-së, çka e ka vështirësuar ndjeshëm rikthimin e emigrantëve.

Në vitet e fundit, Britania ka nënshkruar disa marrëveshje me Francën, përfshirë financimin e patrullimeve me drone dhe policisë kufitare, por rezultatet kanë qenë të kufizuara.

Zyrtarët nga të dyja palët kanë deklaruar se synimi është të shkatërrohet modeli i biznesit i bandave të trafikimit të njerëzve, përmes një qasjeje të përbashkët që kombinon parandalimin, kthimin dhe mbrojtjen e të drejtave të azilkërkuesve.