Macron dhe Zelensky pritet të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të sigurisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe lideri ukrainas, Volodymyr Zelensky, planifikojnë të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe sigurie në Pallatin Elysee të premten, tha presidenca franceze.
“Kjo marrëveshje vjen pas angazhimeve të marra brenda formatit G7 në margjinat e samitit të NATO-s në Vilnius në korrik të vitit 2023”, tha zyra e Macron të enjten.
Në atë kohë, udhëheqësit e NATO-s nuk caktuan një plan kohor për anëtarësimin e Ukrainës në bllok, por vendet e G7-së u zotuan t’i ofrojnë Ukrainës mbështetje afatgjatë të sigurisë.
Mbretëria e Bashkuar dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje dypalëshe sigurie në janar dhe Kievi është në bisedime me vende të tjera.
Marrëveshje të tilla sigurie mund të përfshijnë sigurimin e pajisjeve moderne ushtarake dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas. Që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022, Franca ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të Kievit.
Macron kishte thënë në janar se kishte në plan të vizitonte Ukrainën në shkurt, por ekipi i tij nuk dha detaje të mëtejshme.
Macron e ka shtyrë industrinë e mbrojtjes të Francës të kalojë në modalitetin e “ekonomisë së luftës” dhe të rrisë prodhimin.
Në janar, presidenti francez u bëri thirrje vendeve evropiane që të përgatiten për të mbështetur Ukrainën në rast se Uashingtoni vendos të heqë dorë nga ndihma.
Më vete, zyra e Zelensky tha se presidenti do të udhëtojë gjithashtu në Gjermani për një takim me kancelarin Olaf Scholz të premten.
Trupat e Ukrainës po përballen me një situatë gjithnjë e më të vështirë në vijën e frontit lindor për shkak të mungesës së municioneve dhe sulmeve të reja ruse, shkruan France 24.