Macron i kërkon Putinit armëpushimin në Ukrainë në telefonatën e parë që nga viti 2022

Presidenti francez, Emmanuel Macron zhvilloi të martën telefonatën e tij të parë në tre vjet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, një bisedë që Kremlini e quajti “domethënëse”.
Zyra e Macron, Pallati Elysee, tha në një deklaratë se telefonata, e para e tyre që nga shtatori 2022, zgjati dy orë dhe se Macron kishte bërë thirrje për një armëpushim në Ukrainë dhe hapjen e negociatave për t’i dhënë fund konfliktit, shkruan CNN.
Putini ia përsëriti Macronit qëndrimin e tij se lufta në Ukrainë ishte “një pasojë e drejtpërdrejtë e politikës së Perëndimit”, e cila, sipas tij, kishte “injoruar interesat e sigurisë së Rusisë”.
Çdo marrëveshje paqeje midis Moskës dhe Kievit duhet të përfshijë një “karakter gjithëpërfshirës dhe afatgjatë” dhe të bazohet në “realitete të reja territoriale”, citoi Kremlini Putinin.
Zyra e Macron tha se presidenti francez theksoi gjithashtu nevojën që Irani të përmbushë detyrimet e tij sipas Traktatit të OKB-së për Mospërhapjen (NPT) dhe të bashkëpunojë plotësisht me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.