Macron i thotë Putinit se qëllimi i tij ishte të shmangte luftën

Presidenti i Francës Emmanuel Macron mbërriti sot në Moskë, ku u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin, në një përpjekje për të qetësuar tensionet rreth Ukrainës.
Në fillim të takimit, ai i tha presidentit rus se qëllimi i tij ishte shmangia e luftës dhe krijimi i besimit dhe kërkoi një marrëveshje të dobishme që do të mundësonte shmangien e luftës, transmeton Reuters.
Reuters thekson se Macron u pozicionua si një ndërmjetës i mundshëm në krizën rreth Ukrainës, duke kujtuar se Parisi zyrtar shprehu skepticizëm në lidhje me parashikimet e Uashingtonit, Londrës dhe vendeve të tjera perëndimore se një sulm rus është i pashmangshëm.
Para takimit me Putinin, Macron deklaroi se beson se Rusia nuk po përgatit një pushtim të Ukrainës. Ai tha se ishte optimist – dhe se për sa kohë që Perëndimi ishte gati të bënte lëshime – mund të sigurohet “de-përshkallëzimi” i tensioneve rreth Evropës Lindore.
“Qëllimi gjeopolitik i Rusisë sot nuk është padyshim Ukraina, por qartësimi i rregullave të bashkëjetesës me NATO-n dhe BE-në”, shpjegoi Macron.
Presidenti francez, i cili do të udhëtojë nesër për në Kiev, shpreson se lufta mund të shmanget dhe se qëllimi i bisedimeve është ndërtimi i “elementeve të besimit dhe stabilitetit”.
“Unë mendoj se biseda e sotme mund të fillojë duke treguar drejtimin që duhet të shkojmë, drejt de-përshkallëzimit, kushtet e të cilit ne tashmë i dimë. Më vjen mirë që kam mundësinë t’i kaloj të gjitha këto pyetje në detaje për të arritur një përgjigje të pranueshme si për Rusinë ashtu edhe për pjesën tjetër të Evropës. Përgjigja e duhur është, natyrisht, ajo që shmang luftën dhe ndërton besimin,” tha Macron.