75 Mall Live Search
17:59 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / MSH

Macron, lideri i parë i huaj që do mbajë fjalim për 35-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, do të marrë pjesë në festimet për 35-vjetorin e ribashkimit të Gjermanisë në tetor.

Macron pritet të mbajë një fjalim në landin perëndimor gjerman të Saarlandit më 3 tetor, ditë kombëtare e njohur si Dita e Bashkimit Gjerman.

“Kjo padyshim do të jetë një nga Ditët e Bashkimit Gjerman më europiane që kemi pasur ndonjëherë”, tha Anke Rehlinger, kryeministrja e Saarland.

Anke është gjithashtu presidente e Bundesrat, ose Dhoma e Lartë e Parlamentit, që përfaqëson 16 shtetet federale të Gjermanisë.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, do të jetë mes 900 të ftuarve nga politika, biznesi, feja dhe shoqëria që do të dëgjojnë fjalimin e Macron, i cili do të mbahet në Sallën e Kongreseve në Saarbrucken.

”Presidenti francez do të jetë udhëheqësi i parë i huaj që flet në këtë ngjarje për më shumë se 20 vjet”, tha Rehlinger.

Pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor 1989, Gjermania u ribashkua në 1990, pas më shumë se katër dekadash ndarje gjatë Luftës së Ftohtë.